Lidhje

Sekretari amerikan i Mbrojtjes viziton Irakun


Sekretari amerikan i Mbrojtjes Ash Karter arriti në Irak të hënën për të biseduar me komandantët e tij dhe udhëheqësit irakianë se si Shtetet e Bashkuara mund të ndihmojnë për ta çuar deri në fund luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri.

"Irakianët nuk druhen për të kërkuar çfarë kanë nevojë," tha një zyrtar i lartë i mbrojtjes. "Gjeneralët dhe kolonelët tanë, ndodhen pranë irakianëve."

Duke folur me gazetarët në shtunën në Emiratet e Bashkuara Arabe, sekretari Karter shprehu besimin se Shtëpia e Bardhë do t’i miratojë rekomandimet për këtë çështje.

"Ne kërkojmë të bëjmë më shumë si nga ajri edhe nga toka. Ju duhet të prisni nga ne që të bëjmë më shumë", tha zoti Karter në bazën ajrore Al Dhafra pranë Abu Dhabit.

Koalicioni i udhëhequr nga SHBA e ka përdorur këtë bazë për sulmet ajrore kundër Shtetit Islamik, si dhe për të mbledhur të dhëna zbulimi dhe për të kryer misione mbikqyrjeje.

Vizita e shefit të Pentagonit në rajon vjen pasi SHBA është duke shqyrtuar një rritje të numrit të trupave amerikane në Irak.

"Mendoj se sa herë flasim për aftësi të tjera, kjo zakonisht do të thotë një numër të vogëltrupash shtesë," tha zyrtari i lartë. "Por sinqerisht ajo që është më e rëndësishme është aftësia dhe sa do të na ndihmojë kjo aftësi në luftë."

"Prania jonë në terren do të vazhdojë të jetë për t’i mundësuar, dhe jo për t’i zëvendësuar forcat lokale", u tha zoti Karter gazetarëve.

Fuqia ajrore

Sipas disa ushtarakëve në bazën ajrore të Al Dhafras, Shtetet e Bashkuara kanë intensifikuar goditjet nga ajri dhe pritet që të vazhdojnë t’i shtojnë sulmet edhe më shumë gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.

"Aeroplanët F-22 e kanë zgjeruar rolin e tyre” tha një oficer i operacioneve gjatë vizitës së zotit Karter në bazë të shtunën. "Gjashtë muajt e fundit njësia e aeroplanëve F-22 ka hedhur më shumë se 200 municione me precizion të lartë në zonë. Vetëm javën e kaluar, kemi hedhur 20 për qind të tyre, pra 40 municione vetëm në një javë."

Përveç sulmeve nga ajri, rreth një e treta e avionëve të vendosur në këtë bazë kryejnë misione vëzhgimi mbi Irak, Siri dhe Afganistan.

Sekretari Karter tha se trupat e Bazës Ajrore në Al Dhafra kanë luajtur një rol të rëndësishëm në luftën kundër Shtetit Islamik.

"Këta njerëz janë mjaft të zënë dhe disa prej tyre janë çdo ditë në situata të rrezikshme", tha sekretari Karter.

Mosuli

Gjatë vizitës së tij në Irak të hënën, zoti Karter do të informohet edhe për përpjekjet për marrjen e Mosulit, qyteti i dytë më i madh i Irakut.

"Të gjithë e dinë se lufta e Irakut është lufta për Mosulin," tha një zyrtar i lartë i mbrojtjes. "Mosuli është faza e fundit e procesit të luftës në Irak."

Forcat irakiane filluan një ofensivë për të rimarrë këtë qendër të Shtetit Islamik më 24 mars.

Michael Rubin, studiues në Institutin American Enterprise, i tha Zërit të Amerikës se strategjia amerikane ka qënë për ta frenuar Shtetin Islamik, i cili vazhdon të humbasë terren në Irak dhe Siri. Por zoti Rubin shqetësohet se përmirësimet e nevojëshme të strategjisë mund të jenë të pakta dhe të vonuara.

"Kur është fjala për luftën kundër Shtetit Islamik, kjo është pothuajse si diagnostikimi i një personi me kancer në fazën e parë dhe pastaj mjekët ulen e bisedojnë shtruar nëse duhet ose jo t’i japin një aspirinë për katër-pesë vitet e ardhshme, ndërsa kanceri arrin në fazën e katërt ", tha analisti Rubin.

Kjo është vizita e tretë e sekretarit Karter në Irak që nga ardhja në postin e sekretarit të mbrojtjes.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG