Lidhje

Bennett bën betimin si drejtore e re e VOA


Amanda Bennett, fituese e Çmimit Pulitzer dhe autore librash, bëri sot betimin si drejtoreshë e re e Zërit të Amerikës.

Deri në vitin 2013, Bennett ka qenë redaktore ekzekutive e rrjetit Bloomberg News, ku ajo krijoi dhe drejtoi një ekip global gazetarësh hetues dhe redaktorësh.

Para kësaj, ajo ka qenë redaktore e gazetës The Philadelphia Inquirer. Bennett ka punuar gjithashtu si redaktore dhe reportere për gazetën The Wall Street Journal, ku ajo dhe disa kolegë të saj u nderuan bashkarisht me Çmimin Pulitzer për një raportim të zgjeruar mbi SIDA-n, ku tregohej se si zyrtarët e shëndetit publik keqinterpretonin të dhënat për SIDA-n për të marrë më shumë fonde publike dhe mbështetje financiare.

Bennett është autore e gjashtë librave. Kohët e fundit ajo ka shkruar edhe për gazetën Washington Post si opinioniste. Me bashkëshortin e saj, Donald Graham, ajo themeloi programin Dream.US, i cili ofron bursa për fëmijët e emigrantëve pa dokumenta.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG