Lidhje

Shullazi mbetet në qeli


Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi sot masën “arrest me burg”, për të dhe dy bashkëpunëtorët e tij. Prokuroria e akuzon Shullazin për një seri veprash të rënda penale

Në Shqipëri, Gjykata e Krimeve të Rënda, vendosi sot masën e “arrestit me burg” për Emijano Shullazin, një person i dyshuar për përfshirje në aktivitete të shumta kriminale dhe dy bashkëpunëtorët e tij, Gilmando Dani dhe Blerim Shullazi. Ata akuzohen nga Prokuroria për një sërë veprash të rënda penale. që nga gjobëvënia te kanosja për shkak të detyrës, shkatërrim prone me eksploziv, armëmbajtje pa leje, trafik droge e deri të organizimi grupi të strukturuar kriminal.

Sipas Prokurorisë janë disa biznesmenë të cilët mendohet të jenë shtrënguar me anë të kërcënimeve që t’i japin para Shullazit dhe grupit të tij. Ndaj Shullazit ka të paktën një denoncim nga një qytetar Arjan Zika, i cili në fillim të muajit shkurt, i është drejtuar policisë, duke rrëfyer se është kërcënuar nga Shullazi në mënyrë që të tërhiqet nga pronësia mbi një garazh nëntokësor me sipërfaqe mbi 1000 metra katrorë. Zika i cili ka dhe nënshtetësi amerikane, është thirrur disa herë në takim nga Shullazi. Ai ka refuzuar që të heqë dorë nga prona e tij dhe është larguar menjëherë nga Shqipëria. Policia ka dhe dëshmitë e të afërmve të Zikës, lidhur me kërcënimet nga ana e Shullazit dhe njerëze të tij. Në mars të këtij viti, në garazhin e Zikës ka patur një shpërthim me lëndë eksplozive.

Por avokati i Shullazit deklaroi pas seancës për masën e sigurisë se Zika, sipas tij, nuk ka folur për kërcënime, dhe se ai dhe klienti I tij janë takuar vetëm një herë, gjatë së cilës SHullazi i ka kërkuar që të zgjidhë konfliktin për pronësinë e parkimit nënëtokësor me personin tjetër që e pretendonte atë. Avokati tha se nuk ka denoncim nga asnjë biznesmen tjetër, dhe se vendimi i sotëm sipas tij “ishte i pritshëm duke parë trysninë politike dhe mediatike për këtë cështje”.

Një rast tjetër ku dyshohet se SHullazi ka përfituar përmes kanosjes, është dhurimi i 30 përqind të pronësisë mbi ish hotel Vollgën në Durrës, në qendër të qytetit që ai ka përfituar. Dyshohet se “dhurimi në shenjë mirënjohje”, sic është përcaktuar në kontratën noteriale, është bërë pasi Shullazi, ka ndërhyrë në favor të pronarëve në një konflikt që ata kishin me persona të tjerë pikërisht për ish Hotel Vollgën. Sot prokuroria njoftoi se me lejen e gjykatës ka vendosur sekuestro preventive ndaj ish Hotel Vollgës “nën dyshimin se është përfituar përmes “Falsifikimit të dokumenteve”, “Shpërdorimit të detyrës” e “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”. Prokuroria shpjegon se nga hetimet e deritanishme “janë krijuar dyshime të arsyeshme për paligjshmëri në veprimet e kryera mbi ndryshimet e pronësisë e se janë kryer një seri veprimesh të dyshimta për tjetërsimin e pronës në favor të shtetasve të ndryshëm. Këto veprime të dyshuara antiligjore, sipas Prokurorisë së Durrësit, shtrihen në zyrën hipotekore, zyrat noteriale, por edhe në Gjykatën e Durrësit, e cila ka marrë vendim në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Lartë lidhur me këtë objekt”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Emiljano Shullazi dhe dy bashkëpunëtorët e tij u ndaluan fillimisht ditën e shtunë pasi u dyshuan të ishin autorët e kërcënimit ndaj profesorit të Universitetit të Tiranës Mynyr Koni, që të tërhiqej nga gara për rektor të Universitetit si dhe ndaj rektorit aktual Dhori Kule. Profesor Koni, ka pranuar se ka marrë kërcënime që të tërhiqej nga gara, por emri i Shullazit si autor i kërcënimit u përmend nga ish kryeministri Sali Berisha. Rivalja tjetër në garë, profesoreshë Klodeta Dibra, e angazhuar dhe në strukturat e Partisë socialiste gjatë zgjedhjeve të fundit për kreun e Bashkisë së kryeytetit, ka folur për “një ngjarje shumë të shëmtuar” duke u shprehur se është distancuar që në fillim duke kërkuar zbardhjen e menjëhershme të saj.

Opozita bëri përgjegjës të drejtpërdrejtë kryeministrin Edi Rama, i cili sipas saj synon të diktojë përmes kriminelëve dhe drejtimin e universiteteve. Dje zoti Rama i hodhi poshtë këto akuza duke deklaruar se “nuk ka kandidat të Partisë Socialiste në asnjë nga garat që zhvillohen në të gjithë rruzullin e botës universitare shqiptare”. Ndërsa lidhur më kërcënimin ndaj profesor Konit ai u shpreh se “ajo që ndodhi përpara tre ditësh nuk dëshmon cenimin e Universitetit, por dëshmon vullnetin e plotë të qeverisë sonë për të mos lejuar askënd dhe për asnjë arsye të cenojë Universitetin. Kjo është dhe e vërteta e thjeshtë e një historie shumë të trishtueshme, tërësisht të papranueshme, por që askush nuk mund ta marrë dhe ta përdorë duke përdorur Universitetin, për të bërë hesapet dhe për të nxjerrë përfitimet e veta jashtë mureve të botës universitare”.

Emri i Emiljano Shullazit është mjaft i njohur për organet e Drejtësisë shqiptare. Ai ka hyrë dhe dalë disa herë nga qelitë, duke i shpëtuar dënimeve. Disa muaj më parë, emri i tij u përmend nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë Donald Lu, si shembulli I kriminelëve që lëvizin lirshëm në Shqipëri. Ai është i njohur edhe sepse shpesh është përmendur për lidhje të tij me politikën. Gjatë zgjedhjeve vendore të 2011, ai u denoncua nga përfaqësuesë të Partisë socialiste, pasi ndërhyri duke prishur një nga takimet elektorale në Tiranë. Ndërkohë që opozita e sotme në një mori rastesh ka akuzuar direkt ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri si një “mbrojtës” të Shullazit dhe aktivitetit të tij kriminal.

XS
SM
MD
LG