Lidhje

Zgjedhjet paraprake në Nju Jork


Dy pretendentët presidencialë, demokratja Hillary Clinton dhe republikani Donald Trump, janë në Nju Jork për zgjedhjet e sotme paraprake në këtë shtet. Clinton dhe Trump janë favoritët për të fituar në Nju Jork dhe këto fitore pritet të jenë një nxitje e madhe për fushatat e tyre.

Për republikanin Donald Trump, një fitore e madhe në shtetin e tij do të ishte një hap i madh drejt sigurimit të emërimit:

“Të martën, duhet të dilni të votoni. Duhet të merrni edhe miqtë tuaj pasi kemi të bëjmë me një lëvizje. Një lëvizje që ky vend nuk e ka parë asnjëherë.”

Trump kërkon të mëkëmbet nga humbjet e fundit ndaj rivalit Ted Cruz.

Cruz argumenton se imazhi negativ i Trumpit në sytë e shumë votuesve, do të çojë në mposhtjen e republikanëve në zgjedhjet e nëntorit nëse ai është kandidati republikan:

“Në mbarë vendin rreth 70 përqind e republikanëve pranojnë se nëse Donald Trump merr emërimin, Hillary Clinton do të fitojë. Hillary e mposht Donald Trumpin me mbi 10 përqind. Në se unë jam kandidati, ne e mposhtim Hillaryn.

Por guvernatori i Ohajos John Kasich thotë se ai është kandidati më i mirë për të mposhtur Clintonin dhe shpreson të fitojë disa delegate në Nju Jork me një mesazh optimist.

“Rrezikojmë të humbasim çdo gjë që nga Shtëpia e Bardhë e deri tek organet legjislative të shteteve nëse nuk përcjellim një mesazh bashkues, frymëzues dhe pozitiv për vendin. Kjo është ajo që duhet të bëjmë!”

Në garën demokrate, ish sekretarja e Shtetit dhe senatorja e Nju Jorkut Hillary Clinton po kërkon të shfrytëzojë avantazhin e shtetit të saj.

“Në se votoni për mua, unë do të luftoj për ju gjatë kësaj fushate, do të luftoj për ju çdo ditë në Shtëpinë e Bardhë. Ju faleminderit dhe zoti e bekoftë Staten Island!”

Rivali Bernie Sanders u shkëput nga fushata për të folur në një konferencë të Vatikanit të premten për pabarazinë ekonomike, një temë thelbësore e fushatës së tij:

“Besoj me gjithë zemër se jam kandidati më i fuqishëm për t’u përballur me republikanët dhe mendoj se gjithnjë e më shumë demokratë e kuptojnë këtë.”

Por nëse Sanders humbet në Nju Jork ai do të vazhdojë të ketë një ndikim të madh në garën e demokratëve, thotë Michael Williams.

“Sanders është i ndershëm në ekstrem. Ai është çuditërisht tërheqës me pamjen e tij të shkujdesur. A do të fitojë? Jo. Por a e ka ndikuar ai këtë garë dhe kursin e partisë demokrate në aspektin afatgjatë? Sigurisht.”

Fitoret në Nju Jork për Clintonin dhe Trumpin do të forconin pozitat e tyre si kryesues të garës.

XS
SM
MD
LG