Lidhje

Lu: Arrestimi i Shullazit hap pozitiv

  • Armand Mero

Ambasadori amerikan: Presim që çështja të shkojë përpara në mënyrë serioze dhe të pavarur. Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi sot masën “arrest me burg” për Emiljano Shullazin dhe dy bashkëpunëtorët e tij Gilmando Dani dhe Blerim Shullazi

Në Shqipëri ambasadori amerikan Donald Lu vlerësoi sot si një hap pozitiv arrestimin e Emiljano Shullazit dhe tha se pret që cështja të shkojë përpara në mënyrë serioze dhe të pavarur. Po sot, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi masën “arrest me burg” për Emiljano Shullazin dhe dy bashkëpunëtorët e tij Gilmando Dani dhe Blerim Shullazi. Prokuroria ka ngritur ndaj tyre një seri akuzash të rënda, mes të cilave edhe kërcënime ndaj disa biznesmenëve. Por avokati i Shullazit i hodhi poshtë ato duke pretenduar se ndaj klientit të tij nuk ka prova.

Disa muaj më parë emri i Emiljano Shullazit u përmend nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë Donald Lu, si shembulli i kriminelëve që lëvizin lirshëm në Shqipëri. Sot ai foli sërish ndërsa theksoi se gjatë vitit të fundit në Shqipëri janë vërejtuar gjëra pozitive. “Janë arrestuar dhe hetuar gjykatës, prokurorë, deputetë, dhe një ish ministër dhe tani një bos i dyshuar i krimit të organizuar, Emiljano Shullazi. Ne i mirëpresim këto hapa pozitivë dhe presim që këto raste do të ecin përpara në mënyrë serioze dhe të pavarur”, deklaroi ambasadori amerikan në një fjalë të shkurtër gjatë një takimi të Dhomës amerikane të Tregtisë.

Sot për Shullazin ishte dita kur gjykata do të duhej të shprehej për arrestimin e tij. Ai u shoqërua vecmas nga dy bashkëpunëtorët e tij Gilmando Dani dhe Blerim Shullazi, kur nga Drejtoria e Policisë mjete të shumta u nisën drejt Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku paradite, u zhvillua seanca për masën e sigurisë. Një numër i konsiderueshëm forcash policore kishin rrethuar ndërkohë godinën e Gjykatës. Gjatë seancës mediat nuk u lejuan të ishin të pranishme, ndërkohë që mësohet se Shullazi përvec dhënies së gjeneraliteteve, ja ka besuar gjithçka avokatit të tij.

Akuzat ndaj Shullazit janë mjaft të rënda që nga gjobëvënia te kanosja për shkak të detyrës, shkatërrim prone me eksploziv, armëmbajtje pa leje, trafik droge e deri të organizimi grupi të strukturuar kriminal. Gjykata mori parasysh kërkesën e Prokurorisë duke vendosur masën e “arrestot me burg” pa afat për të dhe dy bashkëpunëtorët e tij. Përvec rastit të Arjan Zakës, i cili ka bërë kallzim në Polici, duke rrëfyer se është kërcënuar nga Shullazi në mënyrë që të tërhiqet nga pronësia mbi një garazh nëntokësor me sipërfaqe mbi 1000 metra katrorë, Prokuroria deklaron se ka informacione se janë disa biznesmenë të cilët mendohet të jenë shtrënguar me anë të kërcënimeve që t’i japin para Shullazit dhe grupit të tij. Por gjatë ditës së sotme disa prej tyre, përmes deklaratave të shpërndara në media mohuan të jenë kërcënuar apo kontaktuar prej Shullazit apo njerëzve të tij.

Edhe avokati i Shullazit ndërsa mohon që në rastin e qytetarit Zaka të ketë patur kërcënime nga ana e klientit të tij, thotë se nuk ka denoncime nga të tjerë

Clipp “Për raste të tjera nuk ka asnjë shtetas që të ketë bërë kallzim, apo të jetë ankuar. Sot mediat njoftuan se dhe Kastrati Grup ka nxjerrë një deklaratë ku e mohon. Edhe dy biznesmenë të tjerë nga qyteti i Durrësit po ashtu. Në dosje nuk ka asnjë rresht të vetëm ku të ketë pretendim, jo kallzim, por as ankim, që të jenë kanosur për shtrëngim dhënie pasurie”, deklaroi avokati Alban Qafa.

Emri i Shullazit, i cili ndër vite ka hyrë dhe ka dalë nga qelitë duke i shpëtuar drejtësisë, ka qenë shpesh objekt dhe i polemikave politike, me palët që kanë akuzuar njëra tjetrën se kanë qenë të lidhura me të. Sot kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi se sipas tij kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri po përpiqen që të pengojnë hetimin dhe procesin ndaj Shullazit, për të cilin ai u shpreh se është një provë në vigjilje të reformës në Drejtësi.

Clipp “Saimir Tahiri duhet të largohet një orë e më parë. Kërcënimet e vazhdueshme ndaj gazetarëve, ndaj opozitës nga Shullazi dhe shullazët vazhdojnë edhe për arsyen sepse protektori i tyre numër një vazhdon të mbajë detyrën e ministrit të Brendshëm. Ndaj është emergjente largimi i Saimir Tahirit, një njeriu botërisht të njohur për lidhjet e tij me Emiliano Shullazin”, deklaroi zoti Basha.

Por ministri i Brendshëm Tahiri tha se cilido që do kish qenë në postin e tij do të ishte akuzuar po njëlloj nga opozita

Clipp “As Shullazi dhe askush nuk është mbi ligjin për Policinë e Shtetit. Edhe çështja në fjalë në qoftë se do hulumtoni, do kuptoni që Policia e Shtetit është më e para (nuk mund të them e vetmja) që ka bërë detyrën një më një, duke respektuar çdo kriter ligjor”.

Ministri i Brendshëm hodhi poshtë zërat se në cështjen Shullazi ka patur përplasje mes Policisë dhe Prokurorisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG