Lidhje

Zgjedhjet presidenciale në SHBA


Donald Trump

Donald Trump

Tre kandidatët republikanë për president dhe ndihmësit e tyre janë duke u përpjekur të fitojnë simpatinë e zyrtarëve të partisë në një pikë pushimi në Florida, në përpjekje për të përcaktuar rregullat e garës brenda partisë, për emërimin e kandidatit të partisë në kuvendin që mbahet në korrik. Kryesuesi i garës republikane Donald Trump dje zhvilloi fushatë në Pensilvani, ndërsa ndihmësit e tij kryesorë takoheshin me zyrtarë partiakë. Zoti Trump thotë se rregullat zgjedhore që ndryshojnë nga njëri shtet në tjetrin veprojnë kundër tij.

Zoti Trump po përpiqet ta arrijë shumicën e thjeshtë të 1,237 delegatëve të nevojshëm për të marrë emërimin e partisë së tij në zgjedhjet e përgjithshme në nëntor. Por ai tha se nuk duhet pritur që t’i shfaqë qysh tani tiparet e tij presidenciale.

"Kemi punë për të bërë. Kemi dy gara të tjera dhe duhet t’i japim fund, apo jo? Jemi duke u paraqitur mjaft mirë, dhe për një farë kohe duhet të tregohemi të ashpër. Pas kësaj kam për t’u paraqitur aq presidencial, saqë ju do të mërziteni; pastaj do të vij këtu përsëri si president dhe në vend të 10 mijë njerëzve kam për të patur me vete 150 vetë, që do të thonë “Trump ka pamjen e një presidenti.”

Megjithë optimizimin e Trump-it për të siguruar emërimin e partisë, disa analistë politikë thonë se ekziston një mundësi e qartë që gara për emërimin e Partisë në Kuvendin e korrikut të jetë e kontestuar.

Në kampin demokrat, të enjten Senatori Bernie Sanders zhvilloi fushatë në Pensilvani, me shpresën për të patur rezultate më të mira në garën e së martës së ardhshme, pasi Hillary Clinton arriti këtë javë një fitore bindëse në Nju Jork.

"Kur e filluam garën, u zhvilluan anketa. Sekretarja Clinton ishte 60, apo 65 pikë para nesh. Në dy javët e fundit, u zhvilluan dy anketa, ku ne ishim para saj… Dhe kur i hedh një vështrim garës për zgjedhjet e përgjithshme në mes të Donald Trump-it dhe republikanëve të tjerë kundër zonjës Clinton dhe meje, ne kemi dalë më mirë në garën me zotin Trump, se sa Sekretarja Clinton," tha kandidati Sanders.

Sanders do të ketë javën e ardhshme pesë mundësi tjera, për të parë në se popullariteti i tij përkthehet në vota të mjaftueshme për të mundur zonjën Clinton, e cila duket se ka hyrë në rrugën për të siguruar emërimin e partisë demokrate.

Garat e radhës për të dyja partitë do të mbahen të martën në shtetet e Pensilvanisë, Merilendit, Konektikatit, Rode Ajlëndit dhe Delauerit.

XS
SM
MD
LG