Lidhje

Ish Hotel Vollga, hetim 3 gjykatësve

  • Armand Mero

Cështja “Shullazi”, Prokuroria dyshime për vendimin mbi pronësinë e ndërtesës në qendër të Durrësit. Vazhdojnë polemikat pas deklaratës së Berishës. Ish kryeministri  përjashtohet 10 ditë nga parlamenti

Në Shqipëri Prokuroria njoftoi sot nisjen e hetimeve ndaj tre gjyqtarëve të Gjykatës së Durrësit të cilët dyshohen se kanë kryer veorime të paligjshme në përcaktimin e pronësisë së ish Hotel Vollgës një kompanie të huaj e cila më pas rezulton t’I ketë kaluar në formë dhurimi, 30 përqind të pronës Emiljano Shullazit. Ndërkohë, arrestimi i Shullazit vazhdon të jetë në qendër të polemikave politike. Kryeministri Edi Rama tha sot se pararendësi i tij Sali Berisha duhet të hetohej për deklaratat e djeshme në parlament, ndërsa kreu i opozitës Lulzim Basha e akuzoi sërish për lidhjet e tij me Shullazin. Ndaj zotit Berisha parlamenti mori masë disiplinore duke e përjashtur 10 ditë.

Pasi pak ditë më parë vendosi sekuestron preventive mbi ish Hotel Vollgën, në qendër të Durrësit, për shkak të dyshimeve mbi njohejn e pronësisë mbi të, Prokuroria njoftoi sot se ka nisur hetimet dhe ndaj tre gjyqtarëve të cilët në shkurt të vitit 2013 i njohën pronësinë një kompanie të huaj. Mbi këtë pronë ka patur një proces të gjatë civil i cili kishte përfudnuar deri në Gjykatën e Lartë, por ndërsa po zhvillohej gjyqi në këtë gjykatë, gjyqtarët e Durrësit kanë marrë një vendim në favor të kompanisë së huaj. Sipas prokurorisë, ky vendim “është marrë në kundërshtim të hapur e flagrant me ligjin, pasi nuk referohet në asnjë bazë ligjore dhe në dijeni të plotë të ekzistencës së një gjykimi paralel, i cili ndodhej në Gjykatën e Lartë”. Hetimet për këtë rast nisën pas arrestimit të Emiljano Shullazit, i cili rezulton të ketë marrë në formë dhurimi 30 përqind të ish Hotel Vollgës, nga kompania e huaj e cila u shpall pronare nga Gjykata e Durrësit.

Cështja Shullazi ndërkohë vazhdon të trazojë politikën shqiptare. Pas deklaratës së djeshme në parlament të ish kryeministrit Sali Berisha dhe thirrjes drejtuar qytetarëve që të armatosen për mbrojtjen personale, sot kreu aktual i qeverisë Edi Rama tha se ai do të duhej të përgjigjej para drejtësisë: “Ka disa arsye për të hetuar Sali Berishën si ish-kryeministër i vendit. Kjo e thirrjes së popullit për t’u armatosur, është vetëm një arsye më shumë. Në një vend normal, sot tellalli i kryengritjes së armatosur, do të ishte përpara prokurorëve. Kështu e thotë edhe ligji ynë i shkruar normalisht, për një vend normal. Por Shqipëria s’mund të jetë një vend tërësisht normal, për sa kohë çka shkruhet në ligj nuk vlen njësoj për të gjithë. Për sa kohë nuk shpëton nga zgjedha e pandëshkueshmërisë së politikanëve, prokurorëve, gjyqtarëve”.

Pikërisht për shkak të kësaj situate, sipas zotit Rama, reforma në Drejtësi është mëse e nevojshme, porse sipas tij zoti Berisha dhe opozita po bëjnë cmos për ta penguar. 24 orë pas deklaratave në parlament, në zyrën e zotit Berisha ishte sot ambasadori amerikan Donald Lu i cili më pas u takua dhe me kreun e opozitës Lulzim Basha. Për temat e diskutuara nuk ka patur një deklaratë zyrtare.

Në një dalje për shtypin, zoti Basha ripërsëriti sulmet ndaj zotit Rama për lidhjet që sipas tij ai kishte me Shullazin, duke e cilësuar shkurtimisht, deklaratën e zotit Berisha jo si një vendim, por si propozim ndaj situatës së rëndë të sigurisë: “I ka lënë Emiliano Shullazit territore të tëra në dispozicion për të mbjellë hashash, i ka ofruar postet kyçe në polici e dogana dhe sot kapet pas një deklarate, një qëndrimi që nuk është as vendim dhe as nisëm, por është një propozim për gjendjen e tmerrshme kriminale me shpresën që do të fshijë Shullazin nga memoria e njerëzve”

Po sot Byroja e parlamentit, vendosi të ndëshkojë me përjashtimin për 10 ditë nga parlamenti ish kryeministrin Sali Berisha për deklaratën në parlament një ditë më parë. Kërkesa për masën displinore ndaj tij ishte paraqitur zyrtarisht që dje nga grupi socialist.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG