Lidhje

Të evakuuarit e Çernobilit


Të martën, më 26 prill, mbushen 30 vjet nga fatkeqësia e Çernobilit, kur një reaktor në një uzinë bërthamore në Ukrainën, atëhere pjesë e ish Bashkimit Sovjetik, shpërtheu, duke çliruar në atmosferë sasi shumë të mëdha radioaktiviteti. 116 mijë njerëz që banonin pranë uzinës u evakuuan dhe 220 mijë të tjerë u detyruan të largohen në vitet në vazhdim, me zgjerimin e së ashtuquajturës “zona e vdekjes”.

Lidhja me shtëpinë e fëmijërisë… kujtimet e largimit të dhimbshëm… Alexandr Gruzevitch jetonte me prindërit në shtëpinë numër 6, rrugaLeningradskaya të qytetit të Çernobilit.

“Kur isha i vogël, nëna ndizte një zjarr të madh në vatër. Në dimër, kur jashtë ishte ngricë, vatra na ngrohte mirë”, - kujton ai.

Vite më pas, në orët e para të mëngjesit të 26 prillit të vitit 1986 – Gruzevitch doli jashtë të pinte një cigare.

“Pashë diçka si vezullim, si një perëndim dielli. Kishte një ngjyrë të kuqe gjak. Mendova me vete: kohë e çuditshme për një shkëlqim të tillë. Si ka mundësi që Dielli të perëndojë kështu, në këtë kohë? Megjithatë, ne edhe të nesërmen nuk ka treguan asgjë se ç’kish ndodhur”.

Shkalla e fatkeqësisë që kishte ndodhur tek termocentrali, u shfaq qartë deri 16 kilometra larg. Urdhëri për evakuimin e banorëve nga Çernobili erdhi 10 ditë më vonë.

Qyteza Pripjat u bë qendra e strehimit të punonjësve të termocentralit. Shumë prej tyre shihnin zjarrin që përfshinte me flakët ballkonet e apartamenteve të tyre.

Tani qyteti është si një monument i dëshpëruar kujtese për aksidentin më të keq bërthamor në botë. Ndërsa ndërtesat shkatërrohen ngadalë nga efekti i rrezatimit, mështeknat radioktive janë duke e përmirësuar tokën.

Në shkollën lokale, sheh të hedhura për tokë maska gazi për fëmijë, masa paraprake nga paranoja e Luftës së Ftohtë. Libra shkollorë të mbushura me vlerësime për arritjet e Bashkimit Sovjetik.

Por, mesrrënimit të përgjithshëm, gjen shenja befasuese të jetës. Disa qindra banorë, kryesisht të moshuar, të cilët u avakuuan atëhere, tani janë rivendosur në “zonën e ndaluar” dhe ky fakt po tolerohet me qetësi nga autoritetet. Shumë e kultivojnë vetë ushqimin e tyre, megjithë paralajmërimet se ndotja rritet me shpejtëtësi nën sipërfaqen e tokës.

Në qytetin e Çernobilit ende banojnë 3 mijë njerëz, të cilët punojnë për nxjerrjen nga përdorimi të uzinës. Ata lejohen të qëndrojnë në zonë vetëm për 14 ditë.

Një herë në javë, Alexandr Gruzevitch shkon nga Kievi për të punuar në në spitalin e Çernobilit, që ndodhet vetëm pak minuta më këmbë nga shtëpia e tij e vjetër.

“Nëna ime i thonte babait “Kthehemi prapë”, por ata nuk arritën. Megjithatë, rreth një muaj pas aksidentit, bashkë me babanë erdhëm tek shtëpia jonë e vjetër. Ishte shkatërruar. Xhamat ishin thyer, dyert ishin të hapura…Të gjitha orenditë i kishin vjedhur. Nuk kishte mbetur më asgjë,” - kujton Aleksandër.

Shkencëtarët thonë se “zona e ndaluar” nuk do të jetë e banueshme edhe për 20 mijë vjet të tjerë.

Por për disa të evakuuar Çernoboli mbetet shtëpia e tyre dhe dëshira e madhe për t’u kthyer i tejkalon rreziqet e padukshme, që fshihen këtu kudo.

XS
SM
MD
LG