Lidhje

Tusk-Nishani, theksi te Reforma në Drejtësi


Presidenti i Këshillit Europian: bashkëpunimi mes partive dhe dialogu është i domosdoshëm  për të ecur përpara. Në Bruksel presidenti Nishani takon dhe kreun e parlamentit europian Martin Schulz

Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk, ritheksoi sot në Bruksel, në përfundim të takimit të tij me presidentin shqiptar Bujar Nishani, nevojën e përshpejtimit të realizimit të reformave, duke vënë theksin te ajo në Drejtësi.

Presidenti Tusk u shpreh se “Shqipëria ka bërë progres shumë të rëndësishëm gjatë viteve të fundit në përpjekjen e saj për integrimin europian. Me mbështetjen e fortë publike për reformat e përcaktuara, unë jam i bindur se Shqipëria do të ecë përpara dhe do t’i miratojë reformat për të cilat është rënë dakort”, tha ai. Duke folur për Reformën në Drejtësi, Presidenti Tusk u shpreh se “në këtë moment të rëndësishëm, kur Shqipëria është duke ndërmarrë një reformë të gjerë dhe ambicioze në sistemin gjyqësor, bashkëpunimi mes partive dhe dialogu është i domosdoshëm për të përparuar me ambicjen europiane të vendit”, nënvizoi ai duke shtuar se “ndërtimi i një baze solide të dhënash për hetime dhe dënime për krimin e organizuar dhe korrupsionin është një tjetër sfidë shumë e rëndësishme”, tha presidenti i Këshillit Europian.

Përfaqësues të Komisionit dhe parlamentit europian kanë këmbëngulur në miratimin e Reformës në Drejtësi, përpara pushimeve të verës, në mënyrë që vendet anëtare të vlerësojnë mundësinë e hapjes së bisedimeve për anëtarësim. Edhe Presidenti Nishani deklaroi se gjatë bisedimeve kishte shprehur “besimin se me finalizimin e reformës në drejtësi, Bashkimi Evropian do të mbështesë hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë”.

Gjatë takimit Presidenti Nishani ka bërë dhe një herë thirrje ndaj autoriteteve evropiane dhe vendeve anëtare për të avancuar procesin e liberalizimit të vizave me Kosovën, i vetmi vend i rajonit qytetarët e të cilit kanë mbetur jashtë këtij regjimi të lëvizjes pa viza drejt BE”, është shprehur presidenti Nishani.

Në Bruksel kreu i Shtetit shqiptar ka biseduar dhe me presidentin e Parlamentit europian Martin Schulz, ndërsa pritet të zhvillojë takime edhe në selinë e NATO-s.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG