Lidhje

Arrestohet në Hollandë Arben Frroku


I dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një komisari policie në Tiranë në 2013, u kap me pasaportë greke. Policia shqiptare: Dje pasdite u konfirmua identiteti përmes shenjave të gishtërinjve. Nisëm procedurat e ekstradimit

Në Shqipëri policia njoftoi mbrëmë se autoritetet hollandeze kanë arrestuar Arben Frrokun, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e komisarit të policisë Dritan Lamaj në Tiranë në muajin shkurt të 2013. Frroku ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Në Hollandë ai është ndaluar, ndërkohë që mbante një pasaportë të falsifikuar greke, me emrin e rremë Renato Tsepa. Sipas njoftimit të mbrëmshëm të policisë shqiptare “Interpol Tirana gjatë ditëve të fundit ka patur disa komunikime me homologët në Hollandë në lidhje me këtë çështje, por vetëm sot pasdite, u konfirmua se shtetasi i paraqitur me dokumente të falsifikuara nën emrin “Renato Tsepa”, ishte shtetasi Arben Frroku, i dënuar tashmë nga drejtësia shqiptare. Verifikimi i identitetit të shtetasit Frroku erdhi pas krahasimit të gjurmëve të dërguara nga autoritet e vendit tonë për partnerët hollandezë. Interpol Haga konfirmoi se gjurmët ishin identike me ato të një shtetasi të arrestuar me dokument (pasaportë) grek të falsifikuar, me gjeneralitetet “Renato TSEPA”, lindur në Korçë”, shpjegon policia shqiptare.

Përvec faktit të konfirmimit të identitetit i cili kishte mbërritur dje pasdite “në orën 17:15 minuta”, policia shqiptare nuk dha detaje se kur Frroku ishte arrestuar nga autoritetet hollandeze dhe kur kanë nisur kontaktet e para mes zyrave respektive të Interpolit. Të martën në mbrëmje, ka qenë ish kryeministri Sali Berisha i cili gjatë një interviste në emisionin “Studio e Hapur” të Eni Vasilit në News 24, deklaroi se Frroku ishte ndaluar në Hollandë. Zoti Berisha akuzoi autoritetet shqiptare se “nuk po japin informacione” për palën hollandeze.

Në njoftimin e mbrëmshëm policia shqiptare, theksoi se “në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Ministrinë e Drejtësisë, kanë nisur procedurat e ekstradimit të shtetasit Frroku drejt Shqipërisë, ku pritet të vuajë dënimin sipas vendimit të gjykatës”.

Arben Frroku u arrestua në 2013 pak orë pas vrasjes, në qytetin e Selanikut në Greqi. Ai qëndroi në burgjet greke deri në nëntor, kur u ekstradua në Shqipëri. Ndërkohë emri i tij ishte pjesë e listës së kandidatëve për deputetë në Qarkun e Shkodrës, të Partisë Kristian Demokrate, një forcë politike e rreshtuar në koalicionin e majtë të udhëhequr nga socialistët në zgjedhjet e Qershorit 2013. Vëllai i tij Mark Frroku mundi të hynte në parlament. I përfshirë në çështjen e deputetit Tom Doshi, edhe Mark Frroku përfundoi në pranga, në Mars të 2015-s ndërsa menjëherë për të u rihap dosja e një vrasjeje të dyshuar të ndodhur në Bruksel në fund të viteve ’90, ku ai dyshohet të jetë ndër autorët.

Në Shqipëri, gjyqi ndaj Arben Frrokut në shkallën e parë, zgjati për shumë muaj, deri kur në prill të 2015, ai u shpall i pafajshëm. Dy muaj më pas Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda, mori një vendim tërësisht të kundërt duke e dënuar atë më burgim të përjetshëm. Por ndërkohë Frroku kishte lënë Shqipërinë.

Disa muaj më parë ndërsa fliste për Reformën në Drejtësi dhe për personat që duhet të frikësoheshin prej saj, ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu “mes kriminelëve, autorë të krimeve të rënda, që ecin lirisht në rrugë çdo ditë”, përmendi së bashku me Emiljano Shullazin, i arrestuar 10 ditë më parë, edhe Arben Frrokun “që vrau një shef policie, por që në mënyrë të mistershme u lejua të largohej nga vendi deri sa ishte në pritje të apelit në gjykatë”, u shpreh ambasadori Lu.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG