Lidhje

Pensilvania dhe përçarjet e republikanëve


USA ELECTIONS NEW YORK TRUMP

USA ELECTIONS NEW YORK TRUMP

Gara për të marrë marrë kandidaturën presidenciale të partisë në mesin e republikanëve ka nxjerrë në pah përçarjet e thella brenda saj. Dy kandidatë të jashtëm, Donald Trump dhe Ted Cruz, kanë arritur të fitojnë më shumë gara në zgjedhjet paraprake se sa kandidatët e moderuar, të cilët gëzojnë mbështetjen e udhëheqjes së partisë. Këto ndasi janë të pranishme edhe në shtetin e Pensilvanisë, ku një rregull i pazakontë lejon delegatët e Partisë Republikane të votojnë kandidatin që ata preferojnë në kuvendin e partisë pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve në shtetin e tyre. Ky rregull mund të jetë vendimtar në rast se asnjëri nga kandidatët e tanishëm nuk fiton shumicën e delegatëve para konventës. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Katherine Gypson ishte në kryeqytetin e Pensilvanisë, Herisburg.

Marc Scaringi dëshiron që vouesit në Pensilvani ta dinë se vota për të është një votë për Donald Trumpin.

"Ai është një kandidat i jashtëm që mund të shkojë në Uashington për të bërë punë".

\Ky drejtues i një programi politik dhe avokat po garon për t’u bërë delegat i Pensilvanisë në kuvendin e Partisë Republikane në Kllivëllend të Ohajos që do të mbahet në muajin korrik.

Nëse asnjë kandidat nuk fiton delegatët e mjaftueshëm në garën e ngushtë Republikane, delegatët e Pensilvanisë mund të jenë vendimtarë në zgjedhjen e kandidatit në kuvendin e partisë. Dhe ata mund të votojnë për cilindo kandidat që preferojnë.

"Në bazë të rregullave, ne mund të votojmë për cilindo kandidatë që ne mendojmë se është më i miri".

Zgjedhja e tyre mund të jetë e rëndësishme nëse procesi i emërimit në kuvend nuk mbaron me një votim.

"Do të jetë një proces shumë i debatueshëm sepse shumica e udhëheqjes së partisë po mbështet Ted Cruz-in. Ata kanë rënë dakord ta përdorin Ted Cruz-in si një mjet për t’ia mohuar kandidaturën Trump-it".

Ndarjet mes delegatëve këtu në Pensilvania pasqyrojnë ndarjen në nivel kombëtar mes udhëheqjes republikane dhe kandidatëve të jashtëm.

Ka delegatë të cilët thonë se do të votojnë për zotin Trump ose senatorin Cruz pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve paraprake të së martës, dhe ka nga ata që thonë se do të veprojnë në përputhje me zgjedhjen e votuesve të Pensilvanisë.

Është një proces i pazakontë. Në vitet e kaluara zgjedhore, votuesit kanë dërguar delegatë me përvojë politike, si Charlie Gerow.

Ai ka marrë pjesë në çdo Konventë Republikane që nga viti 1976, hera e fundit kur para konventës nuk kishte fitues të qartë.

"Unë do të përdor gjykimin, integritetin dhe përvojën time".

Zoti Gerow thotë se kandidatura e zotit Trump do të jetë në vështirësi reale, nëse votimi në kuvend shkon në raunde të shumta.

"Ekziston mundësia që nëse kalohet në raundin e dytë të votimit, e njëjta gjë mund t’i ndodh edhe senatorit Cruz. Kjo mund ta çoj zotin Kasich në një pozitë shumë më të lakmueshme".

Por guvernatori i Ohajos, John Kasich, një republikan i moderuar republikan, është mbrapa rivalëve të tij.

Përvoja e tij, dhe ajo e zotit Gerow si delegat veteran, mund të mos jenë pika të forta në këtë vit zgjedhor.

"Nuk ka dyshim se votuesit me të vërtetë duan fytyra të reja, njerëz të rinj, zëra të rinj".

Zoti Gerow thotë konventa e ardhshme do të jetë një nga konventat më interesante në jetën e tij.

"Për herë të parë në jetën time politike ne, republikanët, nuk po emërojmë një kandidatë të radhës dhe kjo është një gjë shumë pozitive. Kështu duhet funksionojnë konventat".

Vendimi i votuesve këtu në Pensilvani do të ketë një rëndësi të madhe në konventën e Partisë Republikane këtë verë në Ohajo.

XS
SM
MD
LG