Lidhje

Terrorizmi, 126 vjet burg grupit të rekrutuesve


Në mbrëmje vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda për 9 të akuzuarit e të ashtuquajturit “Grup i imamëve”. Prokuroria kishte kërkuar 152 vjet heqje lirie

Në Tiranë, Gjykata e Krimeve të Rënda dha sot vendimin për të ashtuquajturin Grup i imamëve, 9 të arrestuarit e akuzuar se kanë rekrutuar besimtarë muslimanë nga Shqipëria për t’i dërguar si luftëtarë të organizatave terroriste në Siri. Ndërsa prokuroria kishte kërkuar 152 vite burg për të gjithë të akuzuarit, Gjykata dha 126 vite heqje lirie. Dënimet më të rënda u dhanë për Genci Ballën e Bujar Hysajn, dy imamët e vetshpallur të cilët drejtonin dy xhami në periferi të kryeqytetit, të cilat vepronin jashtë kontrollit të komunitetit musliman shqiptar. Hysa u dënua me 18 vite burgim, ndërsa Balla me 17 vjet. Po kaq ishte dënimi dhe për Gerti Pashajn, i cili së bashku me dy të tjerët konsiderohen si drejtuesit e celulës së rekrutimit. Për pjesën tjetër të grupit dënimet qenë nga 7 deri 16 vite heqje lirie.

Në momentin e dhënies së vendimit në sallën e gjyqit ku kishte dhe shumë përkrahës së të akuzuarve, u dëgjuan në mënyrë të shpeshtë thirrjet “Allahu akbar”, apo dhe fjalët kërcënuese të 9 të pandehurve drejtuar trupit gjykues “Shpejt do të vijë dënimi dhe për ju”.

Të akuzuarit u arrestuan në mars të vitit 2014. Prokuroria deklaroi në përfundim të hetimeve se kishte siguruar “prova të mjaftueshme se të pandehurit, kryesisht në vitin 2013, kanë bindur dhe dërguar në Siri qytetarë të ndryshëm shqiptarë, me qëllim bashkimin e tyre me grupet radikale të armatosura që veprojnë në atë zonë”. Ndaj të 9 personave ajo ngriti akuzat e “Rekrutimit të personave për kryerjen e veprave me qëllimeve terroriste ose të financimit të Terrorizmit”; ”Stërvitja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste” dhe “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG