Lidhje

Alberta e Kanadasë nën zjarre masive


wildfires near Fort McMurray, Alberta, Canada
wildfires near Fort McMurray, Alberta, Canada

Zjarret e furishme kanë detyruar evakuime në përmasa rekord në Albertën perëndimore të Kanadasë. Rajoni është përfshirë nga temperatura shumë të larta për këtë periudhë të vitit, si dhe erëra të forta që e kanë acaruar problemin. Mbi 90 mijë vetë janë detyruar të braktisin banesat. Disa nga 50 vatrat e zjarrit janë pranë zonave me rërë naftëmbajtëse, që përfaqësojnë rajonin e tretë në botë për nga depozitat e naftës. Shkaku i zjarrit mbetet i paqartë:

Kryeministrja e Albertës Rachel Notley vizitoi zonat nga ajri dje:

“Provinca e Albertës është në gjendje të jashtëzakonshme; kjo nënkupton se distrikti rajonal do të raportojë përmes administratës provinciale problemet, në mënyrë që të koordinojmë sa më mirë ndihmat në përgjigje të situatës,” tha zonja Notley.

Fluturimet komerciale mbi rajon janë pezulluar. Rreth 16 mijë struktura janë shkatërruar nga zjarri.

“Ky është zjarr shumë i madh, me përmasa shumë serioze. Ka vënë në rrezik një qytet deri tani. Do të garantojmë se banorët e Anzac-ut dhe Gregoire-t janë të sigurtë dhe se do të mund të evakuohen në kohë për në Edmonton,” tha Dale Bendfeld, punonjës i Shërbimeve Rajonale Mbrojtëse.

Disa prej personave të evakuuar shprehin shqetësim për zotërimet që kanë lënë:

“Nuk na lanë të marrim asnjë plaçkë; kemi humbur gjithçka,” thotë një banor.

Të tjerët shprehen të ngushëlluar që janë shëndoshë e mirë:

“Këto gjëra ndodhin. Ndryshon moti, ndryshon era. Nuk ishte situatë e mirë, ishte koha për t’u larguar. Shtëpia jonë në qytet ndoshta është djegur, ndoshta jo. Por ne jemi gjallë dhe plaçkat mund të zëvendësohen,” thotë një banor.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau u bëri thirrje banorëve të kenë durim dhe premtoi ndihmë federale për Albertën.

“Forcat Ajrore Kanadeze janë të gatshme të ofrojnë ndihmë për Albertën me mjete ajrore për të ndihmuar evakuimet, për të dërguar furnizimet bazë dhe pajisjet e nevojshme për këto zona”.

Pritet që temperaturat të bien në ditët në vazhdim, por në mungesë të rreshjeve, vështirë se zjarret mund të vihen plotësisht nën kontroll.

XS
SM
MD
LG