Lidhje

Konferenca vjetore për kërkimin e naftës në det


Ulja e çmimeve të naftës ka ulur edhe eksplorimin dhe zhvillimin e hidrokarbureve në mbarë botën. Kompanitë e naftës dhe industria e shërbimeve që mbështet eksplorimin kanë shkurtuar dhjetëra mijëra punëtorë gjatë muajve të fundit. Nuk është surprizë që edhe pjesëmarrja në konferencën vjetore të teknologjisë për nxjerrjen e naftës nga deti ishte e ulët.

Realiteti virtual vjen në fushat e naftës nëpërmjet kësaj paisjeje të krijuar nga një kompani kineze. Por, ndoshta nuk do të ketë treg të madh në këtë periudhë. Milo Lu thotë se çmimet e ulëta të naftës kanë ulur aktivitetin eksplorues pothuajse kudo.

“E vetmja zonë ku vazhdon puna është Lindja e Mesme. Gjithkund tjetër ka ndaluar.”

Megjithatë një ekran i madh është vendosur tek konferenca e këtij viti.

“Duhet të tregojmë se vazhdojmë të ekzistojmë.”

Megjithëse ka rënë pjesëmarrja këtë vit, kompanitë e shërbimeve ofrojnë këtu gjithçka, që nga anijet e mëdha dhe platformat e eksplorimit dhe deri tek paisjet e vogla që monitorojnë rrjedhën e tubave.

Richard Nott, i një firme londineze, thotë se kompanitë që po mbyllin projektet do të kenë nevojë rrjedhimisht për shërbime.

“Shumë nga këto projekte që janë pezulluar nuk janë zhdukur. Po mendojnë se si mund të operojnë më shpejt, me çmim më të ulët dhe me më shumë efikasitet.”Brady Austin, i degës së kompanisë në Houston, thotë se zhvillimi i një projekti për kërkimin e naftës në det është një investim i kushtueshëm

afatgjatë.

“Duhen vite të tëra pasi duhen marrë shumë vendime, dhe në një treg të tillë duhet parë çdo hap me sy kritik.”

Steve Koch, i kompanisë “3M”, demonstron një parzmore mbrojtëse dhe një sistem shpëtimi për punëtorët që punojnë në platfoma në det.

“Ka ende punëtorë në platforma, të cilët duhen mbrojtur. Ne mundohemi t’u ofrojmë punëdhënësve zgjidhjet me koston më të ulët.”

Megjithëse ka një rritje të vogël rishtazi në çmimet e naftës, shumica e pjesëmarrësve në konferencë thonë se janë përgatitur për një rënie që mund të zgjasë për të paktën një vit dhe më tej.

XS
SM
MD
LG