Lidhje

Miratohet në parim Reforma në Drejtësi


Votë në favor edhe opozita. Palët në Komisionin e Posaçëm ranë sot dakort që t’i hapin rrugë diskutimit nen për nen. Vendimi përshëndetet nga ambasada amerikane dhe ambasadorja e BE-së

Në Shqipëri Komisioni i Posaçëm i Reformës në Drejtësi ka miratuar sot në parim projektin e ndryshimeve kushtetuese, të rishikuar nga ekspertët e Misionit amerikan të Ndihmës ligjore OPDAT dhe atij europian EURALIUS. Miratimi është bërë në unanimitet si nga përfaqësuesit e shumicës dhe nga ata të opozitës, duke i hapur rrugë diskutimeve nen për nen. Vendimi u përshëndet menjëherë si nga ambasada amerikane ashtu dhe ambasadorja e delegacionit të Bashkimit europian

Miratohet në parim Reforma në Drejtësi
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:26 0:00

Mbledhja e sotme e Komisionit të Reformës, ishte paraprirë nga jo pak dilemma. Një natë më parë opozita duke shprehur qëndrimin e saj në favor të tekstit të rishikuar nga ekspertët e misioneve amerikane dhe europiane, OPDAT dhe EURALIUS, ishte shprehur kundër miratimit të saj në parim, si një "procedurë ekstrakushtetuese". Megjithatë duket se situata kishte evoluar dhe palët ranë dakort gjatë që ta votonin në parim.

Pas mbledhjes nënkryetari i Komisionit demokrati Eduard Halimi e shpjegoi se “Vota jonë pro fillimit të procesit të amendamenteve, të diskutimeve nen për nen të amendamenteve Kushtetuese, nuk duhet të interpretohet, ashtu siç dhe u ra dakord në mbledhje, nuk duhet të interpretohet si një votë pro çështjeve politike, të cilat ekspertët e misionit të EURALIUS dhe OPDAT nuk i kanë marrë në trajtim”

Kryetari i Komisionit socialisti Fatmir Xhafaj e quajti votimin e sotëm në parim “një hap të mirë përpara. Me këtë votë në parim, sot i hapet rruga diskutimit nen për ne të procesit në ditët në vijim, votimit në tërësi dhe më pas shqyrtimit në seancën plenare në kuvendin e Shqipërisë”

Sipas opozitës, projekti i rishikuar ka përfshirë përmirësime të shumta, por se do të duhet të diskutohen diskutohen pikat për të cilat janë ofruar disa zgjidhje. “Janë çështje që kanë të bëjnë me institucione të reja Kushtetuese dhe me emërimet e këtyre institucioneve apo me ndërprerjen e mandateve kushtetuese, janë çështje politike për të cilat qoftë ekspertiza ndërkombëtare, qoftë Komisioni i Venecias pothuajse në të gjitha paragrafët e tij, ia adreson politikës”, deklaroi zoti Halimi

Nga ana e tij zoti Xhafa tha se ka propozuar një kalendar intensiv punimesh për ditët në vijim: “E kemi ndarë procesin në 6 kapituj dhe kam propozuar një axhendë të ngjeshur pune anëtarëve të komisionit dhe shpresoj të ecet me këtë ritëm, me shqrtimin e cdo kapitulli hap pas hapi. Nëse ka realisht vullnet të sinqertë ne do të mund të përfundojmë në kohë të gjithë këtë proces”

Vendimi i sotëm i Komisionit u përshëndet menjëherë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara. “Mbështetja unanime për këtë vendim duhet t’i japë popullit shqiptar shpresën se tani udhëheqësit politikë janë të përkushtuar ndaj miratimit të kësaj reforme. Mbështetja unanime është e pazakontë në Shqipëri dhe ne e përgëzojmë Komisionin e Posaçëm për këtë hap të rëndësishëm përpara në reformën në drejtësi", thekson deklarata e Ambasadës amerikane.

Ndërsa nga Shkodra, ambasadorja e delegacionit të Bashkimit Europian Romana Vlahutin, shprehu një entuziazëm të përmbajtur: “Është një lëvizje e mirë, por gjërat nuk kanë përfunduar deri në momentin që do të përfundojnë me të vertetë. Megjithatë, kjo është shumë e rëndësishme, sepse është krijuar tashmë momenti i duhur në mënyrë që, në fund të këtij viti, me punën që do të bëjmë së bashku, ne të krijojmë mundësinë që Komisioni Europian të japë një rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave për Shqipërinë. Prapë, do të duhet shumë punë, sepse edhe në rast se votimi i reformës do të bëhet plotësisht , atëherë duhet të shikojmë edhe elementet e parë të zbatimit të mirë dhe të duhur të kësaj reforme. Por, sinqerisht, kjo do të jetë pika e kthimit”, u shpreh ambasadorja Vlahutin në mesazhin e saj për Ditën e Europës.

Edhe drejtuesit më të lartë të shumicës, kryeministri Edi Rama dhe kryetari i parlamentit Ilir Meta, përshëndetën vendimin e marrë duke e cilësuar si mesazhin më të mirë pikërisht në Ditën e Europës.

XS
SM
MD
LG