Lidhje

Kokëdhimës i hiqet mandati i deputetit


Sot vendimi nga Gjykata Kushtetuese. Deputeti socialist u akuzua nga opozita se kishte përfituar fonde publike ndërkohë që kishte marrë mandatin si anëtar i parlamentit

Në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese ka vendosur sot në favor të kërkesës së opozitës për heqjen e mandatit të deputetit socialist Koço Kokëdhima, për shkak se ka përfituar fonde publike në kohën kur kishte marrë mandatin.

Që prej më shumë se një viti, rasti i deputetit Kokëdhima, ka qenë pjesë e debateve të gjata, të shoqëruara dhe me vendime drastike të opozitës, e cila pak muaj më parë nuk pranoi të merrte pjesë në punimet e parlamentit, pa kaluar më parë në Gjykatën Kushtetuese shqyrtimi i mandatit të deputetit socialist.

Deputeti Kokëdhima, i njohur vecanërisht për lidhjet e tij të ngushta me kryeministrin Edi Rama, i cili e përfshiu atë në listën e deputetëve të partisë së tij në zgjedhjet e 2013, është akuzuar prej kohësh nga opozita se ka përfituar fonde publike në konflikt interesi me mandatin e tij parlamentar. Sipas opozitës, ndërkohë që ai kishte marrë mandatin, një kompani internet që ai ka patur në zotërim, ka lidhur kontrata me një numër të madh entesh publike. Por zoti Kokëdhima, ka mbrojtur gjatë gjithë kohës tezën se kontrata për të cilat akuzohet janë lidhur para se ai të merrte mandatin, dhe se pas kësaj ai ka hequr dorë nga aksionet e tij në këtë kompani dhe të tjera të zotëruara prej tij.

Një kërkesë e hershme e opozitës për ndërprerjen e mandatit të tij, u rrëzua nga parlamenti, Prillin e kaluar, gjë e cila bëri që opozita t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese. Kjo e fundit vendosi që rastet e konfliktit të interesit do të duhet të shqyrtohen në themel prej saj dhe se roli i parlamentit mbetej thjesht formal kur kishte një kërkesë prej së paku një të dhjetën e deputetëve. Ky vendim bëri që parlamenti të shqyrtonte sërish rastin e zotit Kokëdhima, dhe t’i drejtohej Gjykatës që të vendoste mbi fatin e mandatit të deputetit socialist.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG