Lidhje

Drejtësia, Lu e Vlahutin takime me partitë


Ambasadori amerikan pas bisedimeve me grupin socialist: Jemi në një udhëkryq të pazakontë për reformën në Drejtësi i cili  kërkon komunkim të pazakontë dhe vullnet politik. Takime dhe me LSI-në. Nesër Lu e Vlahutin me PD-në.

Në Shqipëri ambasadori amerikan Donald Lu dhe ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit europian Romana Vlahutin nisën sot serinë e takimeve me grupet parlamentare për të diskutuar për reformën në Drejtësi. Sipas ambasadorit amerikan realizimi I refomës kërkon një komunkim të pazakontë dhe vullnet politik, duke shtuar se prania e tij në këto takime janë shenjë e rëndësisë që qeveria amerikane i jep kësaj cështjeje. Pas takimit dhe me gruipin e LSI-së, ambasadorët pritet që nesër të takojnë grupin parlamentar të partisë demokratike.

Pas thirrjeve publike të javës në shkuar në Komisionin e Posaëm të Reformës në Drejtësi, por dhe paralajmërimeve se nuk do të lejojnë dështimin e këtij proçesi, ambasadori amerikan Donald Lu dhe ajo e delegacionit të Bashkimit europian Romana Vlahutin, hynë sot në selinë e partisë socialiste. Ky ishte takimi i parë me grupet parlamentare që do të përmbyllet nesër me partinë demokratike. Ky veprim i tyre është komentuar në mënyra të ndryshme, madje ka qenë dhe objekt diskutimesh të zjarrta dje në mbledhjen e deputetëve demokratë.

Në përfundim të takimit me socialistët ambasadori amerikan dha këtë shpjegim: “Ne pranojmë se është e pazakonte që ambasadorët e huaj të takohen me gr parlamentare. Mendojmë se jemi në një udhëkryq të pazakontë për reformën në Drejtësi i cili kërkon komunkim të pazakontë dhe vullnet politik. Prania ime është shenjë e rëndësisë së kësaj reforme për qeverinë e SHBA”, u shpreh zoti Lu.

Ndërsa ambasadorja Vlahutin e përkufizoi si një proces dialogu mes miqsh dhe partnerësh: “Eshtë shumë e rëndësishme të përfshihemi në një dialog si aleatë. Dhe të shpjegojmë kontekstin e procesit duke patur parasysh dhe zgjerimin e BE-së. Ne e dimë që nga ana jonë kemi disa afate të caktuara kohore dhe thejsht donim t’i ritheksonim në mënyrë që të nis puna me zbatimin e reformës”.

Për kryetarin socialist dhe kryeministrin Edi Rama, problemi lidhur me reformën sipas tij nuk qëndron te Partia Socialiste: “Ambasadorët i bien pragut që të dëgjojë dera. Dhe dera nuk është këtu. Ne këtu jemi krejtësisht të hapur dhe tërësisht në mbështetje për të realizuar Reformën në Drejtësi. Dhe të ishte për ne Reforma do të ishte tanimë e miratuar”.

Sipas zotit Rama, Reforma në Drejtësi ka një rëndësi historike, dhe vendi nuk duhet të humbasë këtë mundësi për ta miratuar atë, pasi kjo sipas tij mund t’i kushtojë Shqipërisë vite të tëra humbje në raport me marrëdhëniet me Bashkimin europian.

Pas socialistëve, dy ambasadorët biseduan grupin e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kryetari i këtij grupi Petrit Vasili tha pas takimit se “që nga sot jemi shumë të qartë, partnerët tanë, por edhe ne, që reforma duhet të përmbyllet. Nuk besoj se ka asnjë moment të saj të pakapërcyeshëm dhe asistenca edhe e përhershme tashmë sistematike e dy misioneve që përfaqësojnë të dy partnerët tanë strategjikë, qoftë EURALIUS, qoftë OPDAT lehtëson së tepërmi”

Projekti i ndryshimeve kushtetuese i rishikuar nga ekspertët e OPDAT-it dhe EURALIUS-it, të cilët dhe sot shoqëronin dy ambasadorët, pas një vote në parim të marrë dje, i është nënshtruar tanimë diskutimeve në parim. Sot ka kaluar kapitulli i parë, ndonëse nuk kanë munguar fërkimet mes palëve, për formulimin e një neni që lidhej me dekriminalizimin, i cili më pas, sic tha përfaqësuesi demokrat Eduard Halimi u hoq nga teksti me këmbënguljen e opozitës.

XS
SM
MD
LG