Lidhje

Drejtësia, Lu e Vlahutin me opozitën

  • Armand Mero

Ambasadori amerikan: Presim që PD të luajë rolin e saj. Vlahutin: Sqaruam disa cështje që nuk ishin të qarta më parë. Kryetari demokrat Basha: Procesi dhe mund të zgjasë. Rëndësi ka standarti, jo koha.

Në Shqipëri, ambasadori amerikan Donald Lu dhe ajo e Delegacionit të Bashkimit europian Romana Vlahutin, përmbyllën sot me bisedimet në selinë e Partisë demokratike, serinë e takimeve me grupet parlamentare. Dje dy ambasadorët diskutuan me socialistët dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim. Në mbledhjen e sotme me demokratët mungonte ish kryeministri Sali Berisha, ndërsa një tjetër figurë e kësaj partie, ish kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli e la në mes takimin. Zonja Topalli ditët e fundit kishte shprehur rezerva për pjesmarrjen e ambasadorëve në mbledhjet e grupeve parlamentare, ashtu sikundër edhe disa të tjerë nga opozita.

Duket se për t’ju drejtuar pikërisht këtyre kritikëve, por edhe për të vënë theksin te angazhimi I vendit të tij në këtë proces, që ambasadori amerikan Donald Lu, pas takimit u shpreh se “unë përfaqësoj një vend që për mëse 100 vjet ka luftuar për të mbajtur Shqipërinë sovrane demokratike e të sigurtë. Dhe në 25 vitet e shkuara kemi punuar për të arritur gjëra të mëdha, me fundin e komunzimin, fitoren e luftës në Kosovë dhe anëtarësimin në Nato”. Ndërsa fjalia e fundit e ambasadorit amerikan ishte një thirrje direkte drejtuar opozitës: “PD ka një rol vendimtar në historinë postkomuniste të Shqipërisë dhe presim që kjo traditë të vazhdojë në kontekstin e reformës në Drejtësi”, nënvizoi ambasadori Lu.

Mbledhja me demokratët zgjati dyfishin e atyre me grupet e tjera parlamentare. Sipas ambasadores Vlahutin “ishte një diskutim shumë i dobishëm i mirë e konstruktiv. Besoj se sqaruam disa çështje që nuk ishin të qarta më parë. Por më e rëndësishme është qe kemi rënë dakort se jemi partner dhe aleatë për të mirën e Shqipërisë. Dhe që në ditët në vijim të gjithë energjitë do të përqëndrohen që të mundemi që kjo reformë të përfundojë”. Jo vetëm ambasadorja Vlahuti por dhe përfaqësues të Lartë të Bashkimit europian kanë bërë të qartë nevojën që reforma të miratohet përpara pushimeve të verës, në mënyrë që Komisioni europian të ketë mundësi që rekomandojë hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë. Edhe ambasadori amerikan ka propozuar që diskutimet në Komisionin e Reformës të mund të mbyllen brenda majit e më pas në qershor parlamenti të votojë paketën e ndryshimeve kushtetuese. Edhe në mbledhjen e sotme mësohet që ai t’i ketë mëshuar nevojës që procesi të mos zvarritet

Por për kryetarin demokrat Lulzim Basha, procesi “mund të zgjasë sepse në fund të fundit rëndësi ka produkti dhe jo koha. Rëndësi ka standardi europian nga i cili Partia Demokratike dhe unë personalisht nuk tërhiqemi dhe për të cilin nuk bëjmë asnjë kompromis. Një produkt skarco nuk të bën punë kur të arrish te afati se ata që gjykojnë, nuk gjykojnë mbi afatin, por mbi produktin”.

Në takim mësohet se zoti Basha ka ripërsëritur shqetësimin dhe mosbesimin e thellë për sinqeritetin e shumicës në këtë proces, duke i mëshuar idesë, së përsëritur dhe publikisht për “moskapjen e sistemit nga politika. Reforma nuk është një copë letër por reforma është zbatimi i saj përballë një oligarkie”, deklaroi zoti Basha.

“Zbatimi do të jetë i një rëndësie tejet të madhe, në vecanti për BE dhe ne do të sigurohemi që do të ketë një mekanizëm shumë serioz vëzhgimi e të sigurohemi që ajo që është shkruar në letra do të bëhet realitet, natyrisht për të mirën e popullit shqiptar”, deklaroi në përfundim të takimit ambasadorja Vlahutin.

Teksti i ndryshimeve kushtetuese është rishikuar pas rekomandimeve të Venecias, nga ekspertët e Misionit amerikan të Ndihmës ligjore OPDAT dhe atij europian EURALIUS. Ambasadori amerikan Donald Lu, e mbështeti publikisht variantin e propozuar, e për të ciin palët tanimë kanë nisur shqyrtimin nen për nen.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG