Lidhje

Shkarkohet kryebashkiaku i Peshkopisë


Vendimi i qeverisë pas publikimit të videos ku kreu i Bashkisë Shukri Xhelili kërkon favore seksuale në këmbim të një vendi pune. Policia shoqëron Xhelilin

Në Shqipëri kryetari i Bashkisë së Peshkopisë Shukri Xhelili u shkarkua sot nga detyra pas publikimit të një videoje ku ai shfaqet duke kërkuar favore seksuale në këmbim të punësimit në administratën e Bashkisë së drejtuar prej tij. Videoja, e filmuar nga një vajzë 20 vjeçare, viktimë e zyrtarit të lartë, është shfaqur mbrëmë në emisionin “Të paekspozuarit” të Ylli Rakipit në televizionin ORA NEWS. Në të kryebashkiaku i Peshkopisë, përfaqësues i Partisë socialiste, i zgjedhur në 2015, shfaqet në momente të ndryshme, duke biseduar me vajzën në zyrën e tij, ndërsa ajo kishte shkuar për të kërkuar punë, dhe më pas në një dhomë hoteli në Tiranë, ku ai e kishte ftuar të takoheshin..

Në intervistën që vajza ka dhënë për emisionin, ka shpjeguar se kishte vendosur që ta filmonte për të denoncuar Kryetarin e Bashkisë “Eshtë një rast shumë… që nuk duhet të ndodhë aq më pak me vajza të reja si puna ime që kërkojnë punë dhe të shfrytëzohen në këtë lloj mënyre”, është shprehur ajo. Vajza ka lënë të kuptohet se nga bisedat me kryebashkiakun ai mund të kishte vepruar në të njejtën mënyrë dhe me vajza apo gra të tjera më parë. Menjëherë pas shfaqjes së pamjeve filmike, policia ka kërkuar një kopje të tyre, ndërkohë që sot e ka shoqëruar Xhelilin për verifikime.

Partisë Demokratike ka reaguar mbrëmë duke shprehur “neverinë për abuzimin ordiner të zyrtarëve të pushtetit të Edi Ramës. Pamjet filmike të transmetuara sot ne Ora News, ku Kryetari i Bashkisë së Peshkopisë, Shukri Xhelili kërkon favore seksuale në këmbim të një vendi pune janë një dëshmi më shumë se ku është zhytur shteti i Edi Ramës”, thekson deklarata.

XS
SM
MD
LG