Lidhje

Trump, takime me republikanët në Kongres


GOP 2106 Trump
GOP 2106 Trump

Kandidati i pritshëm presidencial republikan, Donald Trump ishte dje në një mision në Uashington me shpresën për të siguruar mbështetjen për kandidaturën e tij të debatueshme. Udhëheqësit republikanë thanë më pas se ishte një fillim i mbarë, por se diskutimet duhet të vazhdojnë për të bashkuar partinë.

Donald Trumpi përshëndet para një sërë takimesh me udhëheqësit republikanë të kongresit, përfshirë Kreun e Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan që ka hezituar ta mbështesë zotin Trump si kandidatin e partisë.

“U inkurajova nga ato që dëgjova sot nga Donald Trump. Besoj se tani po hedhim rrënjët e kapërcimit të mosmarrëveshjeve. Nga kjo pikë, do të hyjmë më në hollësi në diskutimin e politikave për të gjetur emëruesin e përbashkët dhe si të sigurohemi që të veprojmë duke u mbështetur tek të njëjtat parime bazë”.

Jashtë takimit, protestuesit kundër zotit Trump, denoncuan planet e debatueshme të tij për të frenuar imigracionin e paligjshëm.

Zoti Trump nuk bëri komente dhe zoti Ryan nuk ofroi mbështetje. Por ata nxorrën një deklaratë të përbashkët, ku thuhej se takimi ishte një “hap pozitiv drejt bashkimit”.

Ishte një ndryshim i madh nga komentet e mëparshme të zotit Trump, ku ai sulmonte ata që vinin në dyshim përkushtimin e tij ndaj vlerave konservatore.

“Ata thonë që nuk jam konservator i vërtetë. Po kush e çan kokën se çfarë thonë? Në radhë të pare ne duhet të ndreqim vendin tone”.

Zoti Trump ka filluar të bëjë për vete disa republikanë, përfshirë kreun e Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Bob Corker.

“Unë vë re se po shtrohen dhe diskutohen çështje dhe një ndryshim të tonit”.

Të tjerë janë ende kundër, përfshirë ish-rivalin e zotit Trump, Senatorin Lindsey Graham.

"Nuk i fajësoj përkrahësit e Donald Trumpit që janë të nervozuar. Unë besoj se ata janë mashtruar dhe se me kalimin e kohës do të shohim se Donald Trump nuk është një konservator republikan i besueshëm”.

Udhëheqësi demokrat në Senat, Harry Reid përdori një ton të ndryshëm për takimet e zotit Trump.

“Është thjesht sinjali i fundit se udhëheqësit republikanë të të dyja dhomave të Kongresit po ecin krah për krah me Donald Trumpin”.

Udhëheqësit republikanë po vazhdojnë të analizojnë pikat e forta dhe të dobëta të zotit Trump, thotë analisti John Fortier.

“Është një realitet që ai i ka bërë për vete shtresat e bardha punëtore. Disa prej tyre nuk janë republikanë, janë të pavarur ose demokratë ose njerëz që në përgjithësi nuk votojnë. Ai duhet gjithashtu të ketë kujdes që të mos humbasë votues të tjerë”.

Zoti Ryan tha se do të mbahen edhe takime të tjera për të kapërcyer mosmarrëveshjet mes tyre.

XS
SM
MD
LG