Lidhje

Ku çalon angazhimi politik në Shqipëri

  • Ardita Dunellari

Në sondazhe të njëpasnjëshme me qytetarët në Shqipëri, duket lehtë zhgënjimi me institucionet, elitën qeverisëse, partitë politike dhe drejtimin që ka marrë vendi. Por sa aktiv është qytetari për ta ndryshuar këtë realitet? Këtë pyetje bënë Instituti Demokratik Kombëtar dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim në një sondazh të zhvilluar kohët e fundit mbi angazhimin politik të shqiptarëve. Kolegët Ardita Dunellari dhe Ilirian Agolli biseduan me përfaqësues të dy instituteve në Uashington dhe Tiranë për të zbërthyer rezultatet e sondazhit:

Qytetari në Shqipëri po i ngre qartë shqetësimet e tij. Sondazhet me popullatën, ofrojnë të dhëna statistikore mbi shqetësimet kryesore të qytetarit, por janë injoruar në të kaluarën nga politikanë shqiptarë si thjesht pasqyrë e perceptimeve, me nëntekstin se popullatës i mungojnë informacioni ose sofistifikimi politik për të analizuar realitetin:

“Do të ishte gabim për një politikan të injoronte perceptimin e qytetarëve. Mendoj se ky është thelbi që po përpiqemi të theksojmë. Në një sistem demokratik duhet t’u përgjigjesh interesave të qytetarit. Anketat që analizojnë opinionin publik janë një formë primare për të kuptuar perceptimet e qytetarëve. Nuk ka përgjigje tjetër. Duhet të dëgjosh çfarë thonë qytetarët në mënyrë që t’u shërbesh atyre si duhet në një demokraci”.

Kimberly Schneider është menaxhere e Programit për Evropën Qendrore dhe Lindore pranë Institutit Demokratik Kombëtar. Ky institut, në bashkëpunim me Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim, zhvilloi para pak kohësh një sondazh në Shqipëri mbi angazhimin politik të qytetarit. Rezultatet, shpjegon zyrtarja e NDI, tregojnë se qytetarit i mungon besimi tek institucionet.

“Qytetarët vazhdojnë të ndjehen të izoluar nga procesi politik. Veçimi vazhdon. Tani barra bie mbi institucionet dhe aktorët politikë, që nga shoqëria politike, partitë e tek parlamenti për të inkorporuar më mirë qytetarët në procesin politik që ta kuptojnë më mirë interesat e tyre dhe t’u përgjigjen këtyre interesave”.

Përveç zhgënjimit me institucionet dhe udhëheqjen politike, rezultatet e anketës treguan se angazhimi politik çalon edhe nga vetë pasiviteti i qytetarëve ndaj detyrës së tyre civile në demokraci. Gjergj Vurmo punon për Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim në Tiranë:

“Angazhimi politik i qytetarëve mbetet në nivelet e bisedave – bisedave me miq, ose thjesht interesimi për politikën. Por për mënyra të tjera angazhimi: pjesëmarrja në një protestë, apo nënshkrimi i një peticioni apo forma të tjera, pavarësisht interesit të tyre në rritje që do të ishin të gatshëm t’i ndërmerrnin këto nisma si forma të angazhimit politik, deri tani këto janë shumë pak të përdorura”.

Megjithatë, në krahasim me rezultatet e anketave të mëparshme, angazhimi politik i qytetarit në Shqipëri tregon rritje. Sondazhi tregon edhe një presion më të madh të qytetarit, jo thjesht mbi forcën politike në pushtet, por edhe mbi çdo element të politikës. Me gjithë zhgënjimin që shprehet ndaj qeverisë dhe parlamentit, pakënaqësia ndaj opozitës është edhe më e madhe. Zonja Schneider thotë se rezultate të ngjashme janë vërejtur edhe vite më parë, kur rolet pozitë-opozitë ishin ndryshe:

“Në anketën e zhvilluar vite më parë, kur ishte raporti i kundërt i forcave politike në rolet pozitë-opozitë, kishim komente të ngjashme: njerëzit duan që opozita të punojë me qeverinë. Edhe nëse opozita nuk është dakord me reformat ose politikat, ata duhet të përpiqen të përfaqësojnë interesat e qytetarit dhe të ofrojnë alternativa”.

Rezultatet dëshmojnë edhe zhgënjimin me punën që po bëjnë partitë politike, vë në dukje zoti Vurmo:

“Besimi tek partitë politike mbetet një sfidë e madhe realisht për t’u adresuar. Mënyra dhe rruga më e drejtë për ta adresuar këtë mbetet lidhja më e fortë me qytetarët, lidhje më shumë me prioritetet e tyre, po ashtu edhe transparenca e partive politike, e financimit të tyre, jo vetëm gjatë fushatës, por edhe në përgjithësi”.

Është ky presion i qytetarit shqiptar, i shprehur në anketa të njëpasnjëshme ku ngrihet problemi i korrupsionit dhe mosndëshkueshmërisë, që e ka bërë reformën në drejtësi temën kryesore të zhvillimeve politike në Shqipëri kohët e fundit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG