Lidhje

Kosova anëtarësohet në FIFA


Kosova nga e premtja është anëtare e Federatës Ndërkombëtare të Futbollit.

Kongresi i 66-të i FIFA-s, që i zhvilloi punimet të enjten dhe të premten në Meksiko Siti, e bëri Kosovën anëtaren e 210-të të kësaj organizate.

Pranimi në FIFA i hapi rrugën Kosovës që të bëhet pjesë e kualifikimeve për Kupën e Botës që mbahet në Rusi më 2018, që fillojnë në shtator, pavarësisht se shorti për këto kualifikime është hedhur në korrik të vitit të kaluar.

Kosova u pranua në FIFA dhjetë ditë pasi u anëtarësua në Federatën Evropiane të Futbollit, me gjithë kundërshtimin e Serbisë, e cila ka paralajmëruar se do ta dërgojë çështjen e pranimit të Kosovës në UEFA në Gjykatën e Arbitrazhit në Lozanë të Zvicrës.

FIFA vendosi në janar të vitit 2014 që t’i lejojë Kosovës të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare.

Megjithatë, ajo vendosi kufizime, duke ndaluar klubeve të Kosovës që të shpalosin simbolet kombëtare apo të intonojnë himnin shtetëror gjatë ndeshjeve.

Ajo i ndaloi Kosovës që të luajë kundër ekipeve të vendeve që kanë dalë nga ish federata jugosllave.

Vëzhguesit thonë se ka mundësi që FIFA dhe UEFA të mbajnë ekipet e Kosovës dhe të Serbisë larg njëra-tjetrës, ngjashëm siç është vepruar me Gjibraltarin dhe Spanjën, prejse Gjibraltari është anëtarësuar në UEFA, tre vjet më parë.

Serbia i është kundërvënë anëtarësimit të Kosovës në shumë organizata ndërkombëtare që kur ajo shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008, ndonëse është përfshirë në një proces bisedimesh me Kosovën në shkëmbim të afrimit me strukturat e Bashkimit Evropian.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG