Lidhje

Greqia në kërkim ndërkombëtar të Balilit


Klement Balili

Klement Balili

Mediat greke njoftuan sot se autoritetet e këtij vendi pritet të lëshojnë në 48 orët e ardhshme një urdhër arresti ndërkombëtar për shqiptarin Klement Balili, i dyshuar si një ndër krerët e një organizate që merrej me trafikun e lëndëve narkotike në disa shtete të Bashkimit europian

Sipas mediave greke, Balili rezulton të ketë llogari bankare në 10 vende të Europës. Emri i tij u shfaq menjëherë pasi autoritetet greke realizuan, javën e shkuar, së bashku me DEA-n amerikane dhe Europolin, një operacion gjatë së cilit u sekuestruan ndër të tjera, mbi 700 kile marijuhanë.

Në Shqipëri, autoritetet patën reagime të ndryshme për rastin Balili. Publikisht policia u rezervua të shprehet, ndërsa burime të saj thanë se ato menjëherë kishin urdhëruar pikat kufitare që Balili të mos mund të largohej nga vendi. Prokuroria nga ana e saj, shpjegoi se nuk mund të vepronte me ndalimin e tij, përsa kohë nuk kishte prova për aktivitet të paligjshëm në Shqipëri dhe se kishte kërkuar materiale nga pala greke. Në ndërkohë, Balili, i cili mbante një post zyrtar, atë të drejtorit të Transporteve në Sarandë, pasi u shfaq publikisht duke rrëzuar akuzat,rezulton që tani të jetë zhdukur pa lënë gjurmë.

Nëse ashtu sic njoftojnë mediat greke ndaj Balilit do të shpallet kërkimi ndërkombëtar, autoritetet vendase janë të detyruara të nisin procedurat, si ndaj rasteve të ngjashme kur është vepruar edhe me sekuestrimin e pasurive.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG