Lidhje

Këshilli i Sigurimit diskuton për Kosovën


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mbajti sot diskutimin e radhës për Kosovën, ku përfaqësuesit e Prishtinës dhe Beogradit, paraqitën pikëpamje shumë të ndryshme për gjendjen në Kosovë, duke nxjerrë kështu në pah se marrëdhëniet mes dy vendeve vazhdojnë të jenë të vështira.

Ambasadorja e Kosovës, Vlora Çitaku u përqendrua tek arritjet e fundit diplomatike të Kosovës, përfshirë anëtarësimin në UEFA dhe FIFA dhe propozimin për liberalizimin e vizave, duke thënë se ato do të hapin mundësi të reja për qytetarët e Kosovës.

Ajo denoncoi reagimin e zyrtarëve të lartë të Serbisë ndaj këtyre zhvillimeve, duke thënë se një reagim i tillë që kërkon t’u mohojë të rinjve të Kosovës mundësinë për të konkurruar në shkallë botërore. Ajo tha se rruga e Kosovës drejt integrimit në institucione ndërkombëtare dhe perspektiva evropiane e saj, është e pakthyeshme.

Ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, u përqendrua tek gjendja e sigurisë e serbëve dhe pakicave të tjera joshqiptare në Kosovë, duke thënë se kushtet e sigurisë për ta janë shqetësuese dhe të drejtat e tyre shkelen. Zoti Daçiç e portretizoi gjendjen si mungesë vullneti dhe dobësi në qeverisje, duke përmendur edhe situtën e brishtë politike në Kosovë.

Një nga pikat ku ministri Daçiç dhe ambasadorja Çitaku paraqitën variante që binin ndesh me njëri-tjetrin, ishte çështja e ekstremizimit.

Zoti Daçiç, tha se gjendja e sigurisë në Kosovë, rëndohet edhe më shumë nga ekstremizmi dhe radikalizimi në rritje dhe tha se shifrat zyrtare janë më të vogla se ato aktuale.

Ndërsa ambasadorja Çitaku u përqendrua tek përpjekjet e autoriteteve të Kosovës për ta luftuar këtë dukuri dhe kritikoi Serbinë se po përpiqet ta paraqesë Prishtinën nën një frymë që nuk përputhet me aspiratat e saj evropiane.

Të dy vendet shprehën angazhimin për të zbatuar marrëveshjet megjithëse me rezerva për angazhimin e palës tjetër.

Ndërkohë përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara, zëvendës ambasadori i delegacionit amerikan në OKB, David Pressman u bëri thirrje vendeve të Kombeve të Bashkuara që nuk e kanë njohur Kosovën, ta njohin atë.

Ai kërkoi zvogëlimin e pranisë së UNMIK-ut në Kosovë dhe që takimi tre mujor për përparimin atje të kthehet në në mujor.

XS
SM
MD
LG