Lidhje

Përgjimet, dyshime ndaj policisë


Prokuroria po heton për ekzistencën e një pajisjeje. Basha: Krim shtetëror me dijeni të Ramës. Ministri Tahiri mohon: Policia nuk përgjon. Një pajisje, jo për përgjime, është sjellë për trajnim nga policia italiane

Në Shqipëri dyshimet për përdorimin nga policia e një pajisjeje përgjimi kanë ndezur debate të forta politike. Përfaqësuesit e opozitës në Komisionin parlamentar të Sigurisë kanë kërkuar paraqitjen nesër në këtë Komision të Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ndërsa Presidenti Bujar Nishani i bëri thirrje Prokurorisë, e cila ndërkohë ka nisur hetimet, t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje. Por ministri Tahiri nga ana e tij mohoi që policia të ketë në përdorim pajisje përgjimi, ndërsa shpjegoi se një aparaturë e cila nuk bën përgjime, është sjellë nga misioni italian i ndihmës ndaj policisë shqiptare, në kuadër të trajnimeve që ofron për efektivët shqiptarë

Dyshimet për përgjime nga policia
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:42 0:00

Një sinjalizim i Shërbimeve sekrete shqiptare vuri në lëvizje pak ditë më parë Prokurorinë lidhur me dyshimet për ekzistencën e një pajisjeje përgjimi në përdorim nga policia. Ajo nisi menjëherë hetimet për këtë rast. Ndërsa debati politik nisi të zjejë me tone të ashpra. Kryetari i opozitës Lulzim Basha foli sot për “një krim shtetëror me dijeninë dhe bekimin e Edi Ramës ka ndodhur prej disa muajsh në Shqipëri. Në mënyrë të paligjshme dhe me pajisje të paligjshme, zyrtarë të policisë kanë vënë nën përgjim drejtues të lartë të shtetit, partive politike, trupit diplomatik, medias, biznesit, bankave, qytetarëve. Në hierarkinë e skandaleve të kësaj qeveria, ku çdo ditë skandali i mbivendoset skandalit, ky padyshim zë vendin e parë. Përgjegjësitë për këtë shkojnë drejt e tek kryeministri i vendit, Edi Rama”, u shpreh zoti Basha.

Më pas, në Komisionin parlamentar të sigurisë, opozita përsëriti qëndrimet sipas të cilave bëhet fjalë për një çështje që përfshin sigurinë kombëtare: “Ekzistenca e kësaj pajisjeje jo vetëm përbën një shkelje të rëndë të legjislacionit në fuqi, por sigurisht sot ajo përbën një kërcënim serioz të lirive dhe të drejtave të njeriut dhe një kërcënim serioz të sigurisë kombëtare”, deklaroi Flamur Noka, nënkryetar i Komisionit.

Komisioni ka kërkuar që të dëshmojnë ministri i Brendshëm, drejtori i Shërbimeve sekrete, kryeprokurori dhe drejtori i Përgjithshëm i policisë. Nesër është thirrur ministri Saimir Tahiri.

Ndërkaq për këtë çështje foli sot dhe Presidenti Bujar Nishani: “Tashmë është konfirmuar nga institucionet shtetërore që ky mekanizëm ilegal, antikushtetues, antiligjor, qenka i pranishëm dhe funksionon. Atëherë kjo përbën një shqetësim të madh për të gjithë shqoërinë tonë. I bëj thirrje dhe i kërkoj zyrtarisht dhe publikisht, Prokurorisë së shtetit që të mbrojë dinjitetin e Shtetit dhe qytetarëve të tij, të mbrojë dimensionin e sigursë tonë kombëtare, që të hetojë të gjithë procesin e procedurave të sjelljes në Shqipëri të kësaj pajisje ilegale që kërcënon mbi të gjitha dimensionin e lirisë sonë të përbashkët”.

Por ministri i Brendshëm mohoi sot që policia të ketë pajisje përgjimi: “Policia e Shtetit nuk disponon, as ka disponuar e as i lejohet të disponojë në të ardhmen asnjë pajisje përgjimi. Në Policinë e Shtetit nuk ka asnjë pajisje përgjimi. Dhe Policia e Shtetit, bashkë me partnerët, nuk ka punuar kurrë e as nuk do punojë (të paktën sa jam unë në detyrë) me një pajisje përgjimi. Kjo nuk i lejohet me ligj”.

Ministri Tahiri, shpjegoi se në Policinë e Shtetit prej disa javësh po zhvillohet një trajnim me policinë italiane në bazë të një marrëveshjeje qeveritare që synon shkëmbimin e eksperiencave me metodologjinë më të mirë, në rastet e hetimit të krimit e në veçanti të terrorizmit: “Në këtë kuadër, Policia e Shtetit ka zhvilluar, (sot që flasim) zhvillon, dhe do vijojë të zhvillojë në të ardhmen trajnime me policitë partnere – siç ka bërë Policia e Shtetit me po të njëjtën pajisje në të kaluarën, edhe kur unë nuk kam qenë Ministër e këta që flasin kanë qenë në qeveri. Dhe riktheksoj, nuk bëhet fjalë për pajisje përgjimi! Bëhet fjalë për një pajisje fare normale në punën e Policisë që nuk ka asnjë lidhje me përgjimin! Këtë e deklaroj me përgjegjësinë time të plotë”.

Ministri Tahiri tha se policia është e hapur ndaj çdo lloj hetimi. Për pasojë gjithshka pritet të sqarohet tanimë nga Prokuroria e cila do të duhet të thotë fjalën e fundit.

XS
SM
MD
LG