Lidhje

Në burg 5 punonjëset e Shtëpisë së Fëmijës në Shkodër


Gjykata e shkallës së parë në Shkodër vendosi sot masën e sigurisë “arrest me burg” për 5 punonjëset e Shtëpisë së Fëmijës Shkollor nga 6-18 vjeç në Shkodër, përfshirë ish drejtoreshën e saj të dy viteve më parë. Ato akuzohen nga Prokuroria për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe keqtrajtimit të të miturve dhe, për këto akuza, do të hetohen në gjendje arresti.

Skandali, që lidhet me Shtëpinë e Fëmijës Shkollor në Shkodër, u bë publik vetëm dy ditë më parë, pas njoftimit të Prokurorisë së rrethit të Shkodrës, e cila ditët e fundit ishte sinjalizuar nga institucioni i Avokatit të Popullit, për abuzime ndaj fëmijëve nga personeli i kësaj qendra.

Nga hetimet e shpejta të kryera nga organi i akuzës ka rezultuar se përveç keqtrajtimeve dhe abuzimeve fizike ndaj femijëve të këtij institucioni, tre prej tyre janë abuzuar edhe seksualisht.

Ngjarjet , për të cilat akuzohen 5 punonjeset e Shtëpisë së Fëmijës në Shkodër, kanë ndodhur rreth 2 vite më parë dhe, për një pjesë prej tyre, mësohet se ka patur dijeni si Shërbimi Social Shteteror, ashtu edhe Bashkia Shkodër. Ndaj, nuk është e qartë se përse hetimet nisën me kaq vonesë.

Pas këtij skandali, Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Blendi Klosi, deklaroi se këto qendra të fëmijëve janë ndërtuar në bazë të një filozofie të vjetër dhe se synimi i kësaj ministrie është mbyllja e tyre dhe dërgimi i fëmijëve pranë familjeve kujdestare.

Me këtë ide duket se është bashkuar sot edhe Kryetaria e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, e cila u shpreh për shkrirjen e qendrës së fëmijëve shkollor. Zonja Ademi bëri të ditur se, në këtë qendër trajtohen 34 fëmijë dhe se vetëm 5 prej tyre janë nga Shkodra. Ndaj, u shpreh ajo, për këta fëmijë kanë përgjegjësi edhe bashki të tjera të vendit.

XS
SM
MD
LG