Lidhje

San Francisko, imigrantët dhe industria e teknologjisë


Qendra më e madhe e industrisë së teknologjisë në Shtetet e Bashkuara që ndodhet në Silicon Valley afër qytetit të San Franciskos, vazhdon të zgjerohet, dhe sipërmarrësit imigrantë po japin një kontribut të madh në këtë fushë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Mike O'Sullivan bisedoi me dy imigrantë të cilët kanë themeluar kompani interneti, po përpiqen të zgjerojnë biznesin e tyre.

Në kompaninë e re “Cloud of Goods” punonjësit festojnë në ditën kur kompania realizoi të ardhurat e para prej 500 dollarësh. Përmes internetit ajo lidh banorët lokalë me vizitorë të cilët kanë nevojë të marrin me qera gjëra të ndryshme.

"Ka shumë gjëra që të gjithë ne kemi grumbulluar në shtëpi, garazhe, që nuk i shfrytëzojmë. Prandaj na lindi ideja që të krijojmë një metodë që këto objekte të mund të përdoren për të mirën e të gjithëve".

Ky sipërmarrësi i lindur në Sri Lanka thotë se tregu i qeradhënies mund të jetë i madh. Bashkëthemeluesja e kompanisë thotë se ata filluan nga e para.

"Ne në fillim do të përqëndrohemi në një fushë të vogël dhe më pas do të fillojmë të zgjerohemi, ashtu si kompania Amazon e cila filloi me shitjen e librave dhe tani merret me shitjen e shumë artikujve".

10 pjesëtarët e ekipit, të cilët tani punojnë pa rrogë, drejtojnë biznesin në takime javore që shpesh mbahen gjatë darkës.

Në kompaninë Listia është më ndryshe. Kjo kompani interneti merret me shkëmbimin e objekteve për koleksionim dhe relikeve, nga lodrat e cilësisë së mirë deri tek monedhat e rralla.

Listia është themeluar nga dy kinezo-amerikanë.

"Tani kemi rreth nëntë milionë anëtarë të regjistruar. Mbi 100 milionë objekte janë shkëmbyer në Listia".

Tetëmbëdhjetë vetë punojnë në qendrën e kompanisë, dhe një personel i vogël në Tajvan po eksploron mundësitë e zgjerimit në Azi. Me rëndësi është tërheqja e punonjësve cilësorë.

"Duhet të vazhdojmë të punësojmë njerëz që kanë më shumë njohuri se ne dhe që mund të na ndihmojnë të ndërtojmë biznesin".

Këto faqe interneti që ofrojnë mundësi për të shkëmbyer artikuj dhe shërbime janë pjesë e një segmenti në rritje të tregut që përfshin edhe shërbimin e taksisë, Uber. Por analisti Neal Gorenflo thotë se ngritja e këtyre bizneseve nuk është e lehtë.

"Është shumë e vështirë të fillosh nga e para, dhe ndërsa disa nga këto kompani janë rritur shpejt, shumë prej tyre kanë shpenzuar disa vite për të arritur në këtë pikë".

Nga zonat industriale në periferi deri në qendrën urbane të San Franciskos, industria e teknologjisë po lulëzon falë përpjekjeve të këtyre sipërmarrësve.

"Ne kemi njerëz që vijnë këtu nga e gjithë bota. Ata sjellin ekspertizë dhe talente të ndryshme, dhe kjo larmi është receta e duhur për një kompani të suksesshme".

E gjitha fillon me një ide dhe përkushtim.

XS
SM
MD
LG