Lidhje

Bëhet publike e kaluara e zyrtarëve


Dekriminalizimi, publikohen formularët e ministrave, deputetëve, kryebashkiakëve dhe këshillitarëve. Mes tyre të hetuar e dënuar për krime nga më të lehtat te ato të rënda

Në Shqipëri, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve publikoi sot formularët e plotësuar nga anëtarët e Qeverisë, deputetët, kryetarët e Bashkive dhe Këshilltarët bashkiak, për të kaluarën e tyre, siç parashikon ligji i ashtuquajtur i dekriminalizimit. Lista e atyre që janë hetuar apo dhe dënuar brendah dhe jashtë Shqiërisë, për vepra nga më të lehtat deri te ato të rënda nuk është fort e shkurtër.

Në listën e kryetarëve të Bashkisë, ai i Krujës, Artur Bushi, përfaqësues i Partisë socialiste, një emër i përmendur shpesh nga opozita për një të kaluar të errët, ka pranuar se është ndaluar dy herë në kohë të ndryshme në Itali. Fillimisht ai është ndaluar në vitin 1996 “për verifikim” por “i liruar menjëherë”më pas. Ndërsa në vitin 2010 ai ka shpjeguar se është arrestuar për një periudhë 40 ditore si i dyshuar për “Trafik lëndësh narkotike”, i liruar më pas “me vendim Gjykate pas kërkesës së Prokurorisë”.

Po ashtu, një tjetër përfaqësues socialist, kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi rezulton të ketë patur probleme. Në vitin 2013 ai është arrestuar në muajin mars nga Prokuroria nën akuzën “Goditje për shkak të detyrës”, arrestim që siç pohon ai në formular është vlerësuar “i paligjshëm”. Më problematike për kryebashkiakun Roshi rezulton situata e tij në Gjermani, ku ai është ndaluar. Në formular, zoti Roshi nuk përcakton saktë vitin, duke shkruar se ka ndodhur para vitit 2002, sikundër nuk jep dhe arsyet e ndalimit apo arrestimit të tij, duke shkruar se “nuk e mban mend”. Kjo mënyrë e plotësimit të formularit, shtyu prokurorinë që javën e shkuar të nmisë verifikimet, pasi në formularin e plotësuar “ka të dhëna të pasqaruara, të cilat kërkojnë verifikim më të thelluar”. Kryebashkiaku i Kavajës, i cili ka qenë shpesh në qendër të akuzave të opozitës për të kaluarën e tij dhe dyshimeve për përfshirje në aktivitete kriminale, ka shpjeguar publikisht se është ndaluar nga autoritetet gjermane dhe dëbuar nga Gjermania pasi ka qenë “emigrant pa leje”, duke u shprehur se për të qenë i saktë në përcaktimet ligjore ka shkruar se nuk i mban mend detajet e cështjes, për të cilat thotë se po zbardhen nga avokatët e tij. Në reagimin e tij ai deklaroi se nuk është subjekt i asnjë krimi që parashikon ligji i dekriminalizimit. Kryebashkiaku Roshi gjithashtu ka pranuar se ka ndërruar emrin në vitin 2002. Deri në atë kohë ai quhej Ervin.

I dënuar në Itali ka qenë dhe kryebashkiaku demokrat i Mallakastrës Agron Kapllanaj. Në formularin e plotësuar ai ka pranuar se ndaj tij ka patur një dënim më burg nga një gjykatë e Firences, sipas nenit 624 të Kodit Penal italian i cili i përket veprës penale “Vjedhje”. Vendimi i Gjykatës italiane është i vitit 2003 për një ngjarje që sipas Kapllanajt ka ndodhur në vitin 1995.

Kryebashkiaku socialist i Poliçanit Adriatik Zotkaj rezulton të jetë dënuar tre herë nga gjykatat shqiptare: me 3 vjet burgim nga gjykata e Korcës për Shkelje të rregullave të qarkulllimit rrugor, me 10 muaj burgim në vitin 2001 për “Kundërshtim të punonjës të policisë” dhe me 1 vit burgim, në vitin 2002 për Kryerje të veprimeve arbitrare të funksionarit public dhe Falsifikim të dokumentave shkollore. Për të gjitha këto vepra penale, kryebashkiaku Zotkaj ka shpjeguar se sipas Kodit penal konsiderohen tanimë të rehabilituara.

Kryetari i Bashkisë së Kurbinit, socialisti Artur Bardjhi, përfaqëson një rast të rrallë. Ai deklaron se ka një të kaluar plotësisht të pastër, ndërsa në rubrikën “Gjeneralitete të përdorura por të pandryshuara zyrtarisht” ai ka shkruar se ka përdorur së paku dhe tre emra të tjerë, “të padokumentuar” Gentian Lila, Altin Tanushi dhe Gent Bushi.

Sa i përket anëtarëve të parlamentit shqiptar, të dënuar apo të hetuar në të kaluarën rezultojnë disa deputetë, të paktën 11 prej tyre që i përkasinë thuajse të gjithë krahëve të politikës. Bëhet fjalë për vepra të ndryshme, që nga “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”, apo “Kundërshtim të punonjësit të policies”, ndërsa ka dhe raste si ai i deputetit demokrat Mhill Fufi, i cili dy herë në vitin 2000 dhe 2001 është akuzuar për “Favorizim prostitucioni”, por në të dy rastet prokuroria ka pushuar procedimin penal ndaj tij. Aktualisht rezultojnë në fazë gjykimi dy ish deputetë socialistë, Tom Doshi, për rastin e pretenduar të një atentati që ai deklaroi si ishte planifikuar ndaj tij, si dhe deputeti Armando Prenga për veprat penale armëmbajtje pa leje, plagosje dhe kanosje.

Menjëherë pas publikimit të deklarimeve, kryeministri Edi Rama duke kujtuar akuzat e opozitës se në radhët e shumicës së majtë kishte 19 deputetë me një të kaluar kriminale shkroi në Twitter: “Tani pyesni Shqup-in ku jane 19 kriminelët e PS në Kuvend?” duke shtura se "Makineria e baltës ka këto funksione: Shpif/e riprodhon shpifjen në media/ngre akuza/përsërit akuzat papushim/dënon publikisht te akuzuarit", shkruan Rama.

I menjëhershëm ishte reagimi i kryetarit demokrat Lulzim Basha, sipas të cilit Kyeministri “duhej të kërkonte falje publikisht sot që doli në syte e shqiptarëve se si ai ka zgjedhur me dorën e tij deputetë e kryetarë bashkie, që megjithëse kanë ndërruar disa emra, në secilin prej tyre kane një krim”. Zoti Basha, shprehet se kryeministri duhet të kishte heshtur, “por Jo. Dhe sfidon, a janë 19. Nëse janë fjala vjen 18, ai del i pastër. Po Frrokun vrasës, e quan? Po Ndokën tutor e rrëmbyes, e quan? Po Mondin e gjakderdhjes në derë të komisariatit, kush e bëri deputet? Apo e njeh per Armando. Të mos shkojmë tek Bushi e Roshi që nuk u dilte formulari për të treguar sa herë janë ndaluar nga policitë europiane për krime e drogë. Apo Tur Bardhi që edhe pse ka deklaruar plot 4 emra ka lënë edhe 2 emra pa deklaruar e ndaj e pret ndjekja penale dhe largimi njësoj”, duke shtuar se “ka shumë prej banditëve të Ramës që kanë fshehur të dhënat” dhe se opozita do i shkojë deri në fund zbardhjes së tyre.

XS
SM
MD
LG