Lidhje

Vritet udhëheqësi i lartë taleban Akhtar Mansoor


Agjencia afgane e zbulimit, NDS, ka konfirmuar se udhëheqësi taleban Akhtar Mansoor u vra gjatë një sulmi ajror në Pakistan pranë kufirit me Afganistanin.

Një dekleratë nga agjencia afgane e zbulimit, NDS, e publikuar të dielën në median sociale Twitter dhe Facebook, thoshte se udhëheqësi taleban Akhtar Mansoor u vra në një sulm ajror në Dalbandin, Baluchistan.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha sot gjatë një vizite në Mianmar se Mansoor u vu në shënjestër sepse ai përbënte një kërcënim të pashmangëshëm për personelin amerikan, civilët afganë dhe forcat afgane të sigurisë dhe se Mansoon kundërshtonte drejtpërdrejtë negociatat e paqes.

Ndërkohë, mjekët në Quetta, kryeqyteti i Baluchistanit, kanë konfirmuar se kanë pranuar dy trupa nga rajoni i largët kufitar, skenë e goditjes ajrore amerikane.

Oficeri në detyrë në spitalin civil të qytetit, mjeku Rashid Kamali, tha për Zërin e Amerikës se trupat ishin marrë nga vendasit në qytetin kufitar para se të transportoheshin për në Quetta. Ai thotë se dokumentet e gjetura, i identifikojnë ata si Mohammad Azam, që ishte shofer taksie dhe Wali Mohammad, pasagjer. Dëshmitarët thonë se taksia u qëllua nga ajri të shtunën dhe se viktimat ishin dërguar fillimisht në spitalin rajonal para se të transportoheshin për në Quetta, destinacioni fillestar i automjetit.

Kanali televiziv pakistanez “92 news” publikoi imazhet e makinës së shkatërruar dhe pasaportën që kishte me vete pasagjeri i vrarë, e cila kishte viza saudite dhe iraniane. Fotoja në pasaportën pakistaneze ngjason me Mullah Mansoor, disa burime talebane konfirmuan për Zërin e Amerikës.

Megjithatë, zëdhënës të Talebanit, të cilët zakonisht janë të gatshëm të komentojnë për median, nuk kanë qënë në dispozicion për të konfirmuar apo hedhur poshtë incidentin kur kanë kaluar me shumë se 24 orë që nga koha kur ka ndodhur. Po ashtu, as Pakistani nuk ka komentuar zyrtarisht lidhur me sulmin me avion me telekomandë.

Zyra e presidentit afgan, Ashraf Ghani në Kabul, publikoi një dekleratë sot që thoshte se qeveria e vendit të tij ishte në proces të rishikimit të detajeve përfundimtare të operacionit lidhur me fatin e Mullah Akhtar Mansoor dhe do të bënte publike rezultatet sa më parë të jetë e mundur.

Deklerata thoshte se udhëheqësi taleban ishte i përfshirë në disa veprimtari të paligjshme përfshi kontrabandën e drogës dhe terrorizmin.

Më herët, një zyrtar amerikan që foli në sfondin e ngjarjes, tha se sulmi ajror ishte autorizuar nga Presidenti Barack Obama. Ai tha se disa aeroplanë me telekomandë të drejtuara nga forcat speciale ameriakane të operacioneve vunë në shënjestër një makinë në provincën Baluchistan. Një burrë që po udhëtonte me Mansoor u njoftua se mund të ishte vrarë gjatë sulmit.

XS
SM
MD
LG