Lidhje

Obama: Mansoor, armik i paqes në Afganistan


Presidenti amerikan Barack Obama tha sot se vdekja e shefit të talebanëve Mullah Akhtar Mansoor eliminoi "udhëheqësin e një organizate e cila ka vazhduar të bëjë komplote dhe të ndërmarrë sulme kundër forcave amerikane dhe atyre të koalicionit" në Afganistan. Presidenti Obama i bëri komentet gjatë vizitës së tij në Vietnam.

Duke folur sot gjatë një konference për shtyp në Hanoi, presindenti Obama tha se udhëheqësi taleban në mënyrë specifike kishte vënë në shënjestër trupat dhe personelin amerikan brenda Afganistanit.

"Kjo nuk paraqet një ndryshim në qasjen tonë. Ne nuk do të rifillojmë përfshirjen në operacionet e përditshme luftarake që janë duke u kryer nga forcat afgane të sigurisë. Detyra jonë është të ndihmojmë Afganistanin të kujdeset vetë për sigurinë, e jo që trupat tona tëangazhohen në luftën e tyre. Në anën tjetër, në rast se kemi të bëjmë me një udhëheqës të profilit të lartë i cili vazhdimisht ka qenë pjesë e operacioneve dhe planeve për të dëmtuar personelin amerikan dhe i cili ka kundërshtuar bisedimet për paqe dhe pajtim që në fund të fundit mund t’i japin fund luftës dhjetëra vjeçare në Afganistan, atëherë është përgjegjësia ime si komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura që të mos rri duarkryq, por të sigurohem që ne po dërgojmë një sinjal të qartë për talebanët dhe të tjerët se ne do të mbrojmë njerëzit tanë dhe ne kemi bërë pikërisht këtë".

Presidenti Obama u bëri thirrje talebanëve që të pajtohen me qeverinë afgane. Komentet e tij vijnë një ditë pasi agjencia afgane e zbulimit konfirmoi se Mansoor ishte vrarë në një sulm ajror amerikan në Pakistan në afërsi të kufirit me Afganistanin.

Pakistani tha se është informuar nga Shtetet e Bashkuara pas sulmit me dron, por kritikoi Uashingtonin për shkeljen e sovranitetit të tij. Islamabadi nuk konfirmoj menjëherë vrasjen e Mullah Akhtar Mansoor-it.

Zyrtarët talibanë privatisht kanë konfirmuar vdekjen e udhëheqësit të tyre, por nuk ishin të gatshëm të identifikonin veten, duke thënë se vendimi përfundimtar për këtë çështje do të merret nga këshilli udhëheqës i grupit.

Sipas agjencisë afgane të zbulimit, sulmi me dron u ndërmor të shtunën në qytetin e Dalbandinit në rajonin e Baluçistanit.

XS
SM
MD
LG