Lidhje

Presidenti Obama heq embargon ushtarake ndaj Vietnamit


Shtetet e Bashkuara dhe Vietnami ranë dakord sot për forcimin e marrëdhënieve mes të dy vendeve dikur armike. Siç njofton nga Hanoi korrespondentja e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Cindy Saine, Presidenti Obama shpalli gjatë visitës fundin e embargos së armëve ndaj Vietnamit:

Pas një priteje zyrtare dhe bisedimeve dy palëshe në Hanoi, presidenti Obama dhe homologu i tij vietnamez, Tran Dai Quang, njoftuan në një konferencë të përbashkët për shtyp, planet për heqjen e embargos së armëve nga Shtetet e Bashkuara ndaj vendit të Azisë juglindore.

Kjo ishte një dhuratë e shumëpritur nga Vietnami. Presidenti vietnamez Tran Dai Quang, e mirëpriti këtë veprim si fundin e një “kapitulli të dhimbshëm”.

"Vietnami e vlerëson së tepërmi vendimin e Shteteve të Bashkuara për heqjen e plotë të embargos së armëve ndaj Vietnamit. Ky vendim pasyqron normalizimin e plotë të marrëdhëneve mes të dy vendeve.”

Presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara po e thellojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes me Vietnamin, përfshirë dhënien e anijeve dhe ndihmën për stërvitjen e rojes bregdetare të vendit.

"Ashtu sikurse me të gjithë partnerët tanë, shitja e armnëve duhet t’i nënshtrohet rregullave të caktuara, përfshirë ato që lidhen me të drejtat e njeriut; kjo do të sigurojë që Vietnami të ketë akses ndaj pajisjeve që i nevojiten për t’u vetëmbrojtur dhe për të zhdukur gjurmët e mbetura nga lufta e ftohtë.”

Presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara dhe Vietnami kanë mosmarrëveshje për të drejtat e njeriut dhe që çdo shitje armësh nga individë do të shqyrtohet rast pas rasti. Por ai shtoi se është koha e duhur për heqjen e një embargoje mbi bazën e ndarjes ideologjike. Ai citoi një nivel të ri besimi dhe dialogu mes ushtrive të të dy vendeve dhe tha se mund të çohen anije të tjera amerikane në portin e Vietnamit “me ftesën” e qeverisë së Hanoit.

Organizata e të drejtave të njeriut Human Rights Watch e kritikoi menjëherë heqjen e embargos së armëve duke u shprehur se: "Me këtë vendim Presidenti Obama eliminoi mjetin e fundit me të cilinmund t’i bënte presion Vietnamit për të përmirësuar gjendjen e të drejtave të njeriut”.

Presidenti Obama po zhvillon një vizitë një-javore në Vietnam dhe Japoni, udhëtimi i tij i 10 në Azi që nga ardhja në Shtëpinë e Bardhë.

Mes temave të tjera që do të bisedohen në Vietnam janë shqetësimi i Hanoit për fuqizimin ushtarak të fqinjit të madh, Kinës, mosmarrëveshja lidhur me Detin Kinës Jugore dhe ajo për të cilën Presidenti Obama u shpreh, si “trashëgimia e dhimbshme e luftës” mes të dy vendeve dhe ndihma e Shteteve të Bashkuara për të zhdukur pasojat e saj.

Presidenti Obama dhe homologu i tij vietnamez, po ashtu njoftuan disa marrëveshje të reja biznesi me të dy vendeve, që kapin vlerën e 16 miliardë dollarëve. Shtëpia e Bardhë tha se tregëtia mes të dy vendeve është trifishuar në shtatë vitet e fundit, duke arritur në 45 miliardë dollarë në vit.

XS
SM
MD
LG