Lidhje

Serwer: Kosova nuk është kërcënim për ekstremizmin

  • Ilir Ikonomi

Eksperti i çështjeve të Kosovës, Daniel Serwer thotë se Prishtina është e angazhuar në përpjekje për të frenuar ekstremizmin dhe se kjo luftë ka dhënë rezultate. Ai i bëri komentet në përgjigje të një artikulli të botuar dje në gazetën Nju Jork Times, në të cilin Kosova cilësohet si një burim i ekstremizmit islamik dhe i xhihadistëve.

Zoti Serwer thotë se për një sërë arsyesh ai nuk pajtohet plotësisht me pikëpamjen e shprehur në gazetën Nju Jork Tajms. Ai mendon se popullata në Kosovë e mbështet mjaft NATO-n dhe Bashkimin Evropian:

“Së pari, është i vogël numri i kosovarëve të rekrutuar në krahasim me përmasat e popullsisë së atjeshme myslimane. Nga autoritetet e Kosovës janë marrë masa të forta ligjore në këtë aspekt, siç kanë qenë ndjekjet penale dhe dënimet. Dhe, në fund të fundit, popullata në Kosovë është shumë pro NATO-s, shumë pro Bashkimit Evropian dhe shumë kundërshtuese ndaj ISIS-it.”

Në artikullin e gazetës Nju Jork Tajms thuhet se sauditët kanë investuar shumë para në Kosovë për të përhapur wahabizmin, ideologjinë konservative që mbizotëron në Arabinë Saudite. Zoti Serwer thotë se qeveria po i përgjigjet kësaj me masa parandaluese.

“Është shumë e qartë se sauditët kanë bërë disa gjëra që do të dëshiroja të mos i kishin bërë dhe artikulli e trajton mirë këtë subjekt. Por unë nuk e besoj se kjo e ka radikalizuar popullatën e Kosovës. Ka radikalizuar një numër relativisht të vogël të rinjsh dhe tani qeveria po bën përpjekje serioze për ta parandaluar vazhdimin e kësaj dhe për të riintegruar ata që kthehen nga lufta në Irak dhe Siri.”

Sipas vëzhguesve, një numër imamësh në Kosovë përdorin vështirësitë ekonomike nëpër fshatrat e Kosovës për të rekrutuar njerëz në favor të ideologjive të skajshme. Zoti Serwer, i cili prej shumë vitesh merret me çështjet e Kosovës, nuk e mohon këtë fakt:

“Kjo është një teknikë që përdorin sauditët dhe kjo është për të ardhur keq. Por duhet thënë se të predikosh islamin konservator dhe të predikosh ekstremizmin janë dy gjëra të ndryshme, nuk janë e njëjta gjë. Ne po flasim këtu për disa qindra njerëz që janë radikalizuar dhe që kanë shkuar për të luftuar në Irak dhe Siri. Qeveria e Kosovës thotë se gjatë vitit të kaluar askush nuk ka shkuar dhe unë nuk kam dëgjuar njerëz ta kundërshtojnë këtë pohim, pra ky është një rezultat mjaft i mirë.”

Zoti Serwer thotë se ka disa mënyra për ta luftuar me sukses radikalizmin:

“Mënyra më e mirë është të vazhdohet ndërtimi i shtetit të Kosovës si një demokraci dhe ekonomi e tregut të lirë si dhe ndërtimi i shtetit ligjor. Përgjigja e duhur do të ishte përgjigja me mjete ligjore.”

Analisti thotë se në Kosovë ka një farë përhapje të praktikave fetare që janë më konservatore. Kosova ka qenë një vend ku praktimi i fesë ka qenë dekuraruar për shumë dekada. Prandaj nuk është e habitshme që ka disa njerëz të cilët kanë zgjedhur një drejtim më konservator, sidomos në fshat, por kjo është mjaft e ndryshme nga ekstremizmi.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG