Lidhje

SHBA, arrestohet i dyshuari për terrorizëm


Në SHBA, agjentët e FBI-së arrestuan në Bronks të Nju Jorkut 22-vjeçarin Sajmir Alimehmeti, nën akuzat se është përpjekur të mbështesë ISIS-in dhe terrorizmin.

Gjatë hetimeve, një agjent i fshehtë ishte takuar me Alimehmetin në banesën e tij në Bronx, ku 22-vjeçari kishte luajtur video, ku shihej një prej luftëtarëve të ISIS-it duke u prerë kokën të burgosurve.

Sipas një padie të depozituar në një gjykatë federale në Manhattan, që nga viti 2015, Alimehmeti kishte blerë thika dhe pajisje të tipit ushtarak.

Prokurorët thonë se Alimehmeti është shtetas i natyralizuar amerikan. Ai u arrestua të martën në mëngjes.

22-vjeçari është mes pothuajse 90 personave në SHBA, të cilët nga viti 2014 janë përballur me akuza për krime që lidhen me grupin Shteti Islamik.

Sipas padisë, Alimehmeti kishte qenë në vemendje të autoriteteve të paktën që nga viti 2014, kur atij i ishte mohuar dy herë hyrja në Britani.

Në padi thuhet gjithashtu se 22-vjeçari kishte aplikuar në vitin 2015 për një pasaportë të re amerikane, duke pretenduar se e kishte humbur të parën. Sipas FBI-së, ai mendonte se përdorimi i pasaportës së vjetër me vulat britanike të refuzimit do të ngjallte dyshime.

Sipas agjentit të FBI-së që denoncoi rastin, i vëllai i Alimehmetit ishte arrestuar në vitin 2015 në Shqipëri nën akuzat për armëmbajtje dhe sulm me armë.

Alimehmeti i kishte thënë agjentit se “ai dhe vëllai i tij kishin patur në plan për të udhëtuar nga Shqipëria në Raka të Sirisë, por vëllai ishte arrestuar.”

Trego komentet

XS
SM
MD
LG