Lidhje

Në kërkim ish kryebashkiaku i Kukësit


Hasan Halili akuzohet për “Shpërdorim detyre”. Përfundojnë në pranga tre ish drejtorë të Bashkisë dhe Drejtorisë rajonale të Tatimeve në Kukës. Afër 45 milion lekë nga fondi i kontributeve për punonjësit i kaluan si sponsorizime një shoqërie private

Në Shqipëri, prokuroria ka shpallur në kërkim ish kryetarin e Bashkisë së Kukësit Hasan Halili, ndërsa arrestoi ish drejtorin e Financave të kësaj Bashkie Lekë Deda, si dhe dy ish drejtorë të Drejtorisë rajonale të Tatimeve. Të gjithë dyshohen për “Shpërdorim detyre” dhe abuzim me një shumë prej 45 milion lekësh (mbi 370 mijë dollarë).

Sipas prokurorisë, "zyrtarët, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer një seri veprimesh fiktive, duke e regjistruar Bashkinë Kukës si aksioneve në shoqërinë private “Klubi i Futbollit Kukës” sh.a. të krijuar në vitin 2011. Në favor të kësaj shoqërie është derdhur, gjatë një periudhe 4 vjeçare, deri në vitin 2015, në formë sponsorizimi për ekipin e futbollit, shuma prej rreth 45 milion lekësh. Këtë shumë, Bashkia e Kukësit e ka siguruar, duke mos paguar kontributet shoqërore dhe shëndetësore për pjesën më të madhe të punonjësve në varësi të institucionit". Prokuroria shpjegon se “nga verifikimet ka rezultuar se për periudhën 2011-2015, shumë punonjës kanë marrë pagën, por nuk figuron të kenë të derdhura kontributet e detyrueshme, të cilat dorëzohen në Drejtorinë e Tatimeve nga ana e punëdhënësit, në këtë rast Bashkia e Kukësit”.

Hasan Halili është zgjedhur në detyrën e kryebashkiakut në vitin 2011 si përfaqësues i Partisë Demokratike. Në vitin 2013, ai kaloi me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Nën siglën e kësaj partie ai ishte kandidati i koalicionit të udhëhequr nga socialistët edhe në zgjedhjet e qershorit të vitit 2015, ku Halili humbi përballë rivalit të tij demokrat.

XS
SM
MD
LG