Lidhje

Biografia e udhëheqësit të ri taliban


Udhëheqësi i ri i talebanëve, Mawlawi Haibatullah Akhundzada është një studiues i njohur i fesë, i specializuar në interpretimin e fjalëve të Profetit Mohamet.

Ai gëzonte respektin dhe besimin e udhëheqësit dhe themeluesit të grupit Taliban, Mullah Omar. Sipas analistit të Rrjetit të Analizave Afgane, Thomas Ruttig, Mullah Omar, merrte këshilla nga Mawlawi Haibatullah Akhundzada për dekretet e rëndësishme fetare që lëshonte.

Haibatullah gjithashtu vjen nga një fis i njohur e me tradita.

Me zgjedhjen e tij në krye, si dhe të zëvendësve të tij, grupi Taliban ka arritur të përfshijë të gjitha grupet fisnore dhe etnike që duhej të qetësoheshin, thotë Adeel J. Khan, analist i çështjeve rajonale të sigurisë dhe profesor në disa universitete evropiane dhe pakistaneze.

"Kjo është zgjidhja më ideale që talebanët mund të arrinin", thotë zoti Khan.

Fisi Noorzai i Mawlawi Haibatullah Akhundzada-it është një nga tre fiset më të mëdha Durrani të dinastisë fisnore. E themeluar në vitin 1747 nga Ahmad Shah Durrani, perandoria Durrani kishte një territor që përfshinte pjesë të Iranit dhe të Turkmenistanit të sotëm në veri, shumicën e Pakistanit të sotëm dhe Indinë veriperëndimore.

Zëvendësit e tij

Shura, ose Këshilli udhëheqës i talibanëve, ka zgjedhur edhe dy zëvendës të Mawlawi Haibatullah Akhundzadanit. Njëri prej tyre, Sirajuddin Haqqani, ishte zëvendës i Mansoor-it, udhëheqësit të vrarë kohët e fundit. Ai është i biri i Jalaluddin Haqqani-it, themeluesit të rrjetit Haqqani, një nga grupet më vdekjeprurëse në Afganistan.

Shtetet e Bashkuara kanë ofruar një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për ata që mund të japin informacione që çojnë në kapjen e Sirajuddin Haqqanit.

Zëvendësi tjetër, Mullah Yaqoob, është djali i Mullah Omar-it dhe aktualisht kryeson komisionin ushtarak taleban për 15 nga 34 provincat e Afganistanit.

Biografia e Mawlawi Haibatullah Akhundzada

Haibatullah ka lindur në provincën e Kanhadarit mes viteve 1966 dhe 1967. Gjatë pushtimit sovjetik të Afganistanit në vitin 1980, ai jetoi si refugjat në Pakistan dhe studioi në një shkollë islamike atje.

Ai gjithashtu ka luftuar kundër forcave sovjetike dhe partnerëve të tyre afganë. Kur talebanët morën pushtetin, ai punoi në sistemin e tyre gjyqësor si një prej gjyqtarëve të lartë.

Pasi Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre sulmuan Afganistanin në vitin 2001, Haibatullah-u shkoi në Pakistan.

Që nga sulmi kundër udhëheqësit Mullah Mohammad Mansoor, në dhjetor të vitit 2015, nuk dihet vendndodhja e Haibatullah-ut.

XS
SM
MD
LG