Lidhje

Drejtësia, pritet takim Rama-Basha


Kryeministri ftoi sot drejtuesin e opozitës për të biseduar për Reformën në Drejtësi dhe atë Zgjedhore. Basha përgjigjet pozitivisht

Në Shqipëri kryeministri Edi Rama dhe kryetari i opozitës Lulzim Basha pritet të takohen për të diskutuar mbi Reformën në Drejtësi dhe atë Zgjedhore. Palët ranë dakort në parim pasi zoti Rama zyrtarizoi përmes një letre ftesën për një bisedë të përbashkët. Ky është takimi i parë mes drejtuesve të dy forcave kryesore politike në vend, në një moment tansionesh të larta mes palëve dhe kur procesi i Reformës ndodhet një një fazë kritike.

Pritet takimi Rama-Basha
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:10 0:00

Kryeministri Edi Rama ripërsëriti sot ftesën drejtuar kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha për t’u takuar dhe biseduar për Reformën në Drejtësi. Një ditë më parë në një intervistë për Top Channel, zoti Basha kishte shprehur gatishmërinë për të biseduar “pa kushte” me kryeministrin në çdo moment. Nisur nga kjo gatishmëri, kabineti i zotit Rama ju drejtua kabinetit të zotit Basha me një letër, duke theksuar se “ftesa që Kryeministri i ka dërguar zotit Basha mbetet gjithmonë e hapur”. Në fund të marsit të shkuar zoti Rama ftoi publikisht në një takim kreun e opozitës, i cili nga ana e tij e refuzoi atë duke e kushtëzuar me zbatimin më parë nga ana e shumicës, të vendimeve të Gjykatës kushtetuese për mandatet e tre deputetëve socialistë.

Në letrën e sotme kabineti i zotit Rama thekson se “Kryeministri është i gatshëm të takohet me Kryetarin e Partisë Demokratike që nesër në orën 11:00. Zoti Basha është sigurisht i mirëpritur të caktojë orën e takimit në çdo rast. Duke qenë se vendi i takimit është lënë në zgjedhjen e Kryeministrit, ai mund të zhvillohet në Sallën e Hartave, në godinën e Këshillit të Ministrave”.

Zoti Basha ju përgjigj pozitivisht ftesës, por takimi është I pamundur për nesër, për shkak të agjende ndërkombëtare të konfirmuar më parë”, shkruhet në përgjigjen kthyer kryeministrisë, ku saktësohet se “kryetari Basha është i mundur të realizojë takimin duke nisur që prej ditës së mërkurë, 1 Qershor”.

Takimi i pritshëm vjen në një moment kur procesi i Reformës në Drejtësi duket se ka mbetur pezull pasi opozita paraqiti një seri propozimesh lidhur me tekstin e ndryshimeve kushtetuese të rishikuar nga ekspertët e misionit amerikan të Ndihmës Ligjore OPDAT dhe ata të misionit europian EURALIUS. Dy ditë më parë zoti Basha deklaroi se opozita është dakort me pjesën që ka të bëjë me antikorrupsionin dhe se ka pranuar propozimet e ndërkombëtareve lidhur me vendimmarrjen për emërimet në institucionet e drejtësisë, ndërsa për strukturën e re të sistemit të Drejtësisë u shpreh se edhe Komisioni i Venecias, por edhe varianti i rishikuar “kanë përcaktuar se arkitektura që pamundëson kapjen e sistemit është përgjegjësi e ligjvënësve”, për këtë arsye, theksoi zoti Basha “nuk mund të ketë një formulë e në veçanti, pranueshmëri të një formule që nuk garanton moskapjen politike”. Por ndërkohë zoti Basha ngriti si një çështje urgjente edhe ndryshimet në Kodin zgjedhor, pasi sipas tij pa garantuar zgjedhje të lira e të ndershme Shqipëria nuk mund të shpresojë hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Për këtë arsye, sipas kabinetit të zotit Rama “kryeministri do të jetë i shoqëruar nga kryetari i Komisionit parlamentar për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, si edhe nga kryetari i Komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore, Bashkim Fino. Zoti Basha është mëse i mirëpritur të vijë i shoqëruar sipas dëshirës së tij. Në kuadër të këtij takimi, Kryeministri do të dëshironte të trajtonte sëbashku me Kryetarin e Partisë Demokratike, çështjen e Reformës në Drejtësi, atë të Reformës Zgjedhore dhe çdo çështje tjetër me rëndësi dhe interes të përbashkët”, përfundon letra e kabinetit të kryeministrit.

Nga ana e tjetër, kabineti i zotit Basha është përgjigjur se “për ditën, vendin dhe formatin e takimit mbeten të gatshëm të nisin menjëherë kontaktet për të bërë rakordimet e nevojshme”.

Nëse takimi do të finalizohet, është ende herët për të vlerësuar rezultatin e pritshëm, por sidoqoftë është së paku një sinjal çtensionimi.

XS
SM
MD
LG