Lidhje

Fushata presidenciale vazhdon e nxehtë


Amerikanët vazhdojnë të ndjekin me vëmendje garën për president, ku kandidatët përpiqen të justifikojnë dhe interpretojnë qëndrimet e tyre duke shtuar edhe më shumë konfuzionin e zgjedhësve në këtë fushatë paraprake të pazakontë.

Në muajin janar, Donald Trump ishte një ndër kandidatët e shumtë republikanë, ndërsa Hillary Clinton dallonte si kandidatja kryesuese ndër dy kandidatët e tjerë demokratë.

Javës që kaloi, zoti Trump përftoi zyrtarisht shifrat e duhura për të marrë nominimin republikan.

“E fituam ndjeshëm nominimin, me rezultat të pabesueshëm.”

Ndërsa zonjës Clinton i duhet të bëjë fushatë të fortë për të shmangur disfatat e sikletshme afër fundit të votimeve paraprake.

Për më tepër, ajo është vendosur në pozita mbrojtëse prej raportit të inspektorit të përgjithshëm që konkludoi se ish-sekretarja e shtetit ka shkelur politikat e Departamentit të Shtetit me email-in e saj.

“Ka praktikë edhe e sekretarëve të tjerë të shtetit përdorimi i email-it personal. Rregullat nuk ishin të qartësuara në atë periudhë. Siç e kam thënë shpesh, nëse do më jepej një tjetër mundësi, do të kisha vepruar ndryshe.”

“E shikoj Hillary Clinton, siç e quaj unë – mashtruesja Hillary, që vazhdon dhe vetëm gënjen. Është për të ardhur keq... Ajo është një katrahurë. Ka gjykim të keq”, tha zoti Trump

Ndërkohë, zoti Trump pranoi fillimisht dhe më vonë refuzoi një debat me Bernie Sanders, sfidantin e zonjës Clinton.

“Shpresoj që të garoj kundër tij si i nominuari i demokratëve. Nëse po, atëherë do ta mundim thellë.”

Të mundin Trumpin është një ide për të cilën bien dakort Sanders dhe Clinton.

“Rrezikohen shumë gjëra. Nuk duhet të lejojmë në asnjë mënyrë që Donald Trump as t’i afrohet Shtëpisë së Bardhë.”

Por, ndërsa Clinton dhe Sanders luftojnë njëri-tjetrin, Partia Demokrate nuk po bashkohet. Ndërkohë, zyrtarët republikanët po japin shenja se do të bashkohen pas zotit Trump, i cili për herë të parë në sondazhe del mbi zonjën Clinton.

“Kryesoj në pothuajse çdo sondazh tashmë. E besoni tashmë? Është e mrekullueshme.”

Votimet paraprake përfundojnë të martën tjetër, kur ndër të tjerë, shteti më i madh amerikan, Kalifornia, do të thonë fjalën e tyre.

XS
SM
MD
LG