Lidhje

Dorëhiqet kryebashkiaku i Kavajës


Elvis Rroshi njoftoi sot vendimin pasi rezultoi të ishte dënuar në Itali, gjë që nuk e ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit

I vënë në shënjestër të akuzave për të kaluarën e tij, të shtuara dhe pas publikimit të formularit të dekriminalizimit, kryebashkiaku i Kavajës Elvis Rroshi, i cili në dy zgjedhje me radhë i dha fitoren socialistëve në një qytet të konsideruar bastion i së djathtës, njoftoi sot dorëheqjen.

Jep dorëheqjen Elvis Rroshi
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:15 0:00

Shkak është bërë zbulimi i një fakti që, siç pohon, nuk e ka ditur më parë. Ai rezulton të jetë dënuar në Itali, në një moshë të mitur. Në një deklaratë të publikuar në faqen e tij në Facebook, Rroshi thotë se nuk ka qenë ndonjëherë në gjyq e as ka bërë ndonjë ditë burg për këtë dënim të dhënë nga një gjykatë për të mitur. Ai nuk shpjegon se për cfarë është dënuar, porse dorëheqja në këtë rast u bë e detyrueshme pasi ky dënim nuk figuron në deklaratën e tij, duke saktësuar se “pa e ditur këtë dënim s'ka patur se si ta deklarojë”.

Pak javë më parë Prokuroria njoftoi se do të bënte verifikimin e formularit të dekriminalizimit të Rroshit, në të cilin kishte deklaruar se ka qenë i ndaluar në Gjermani. Në formular, Roshi nuk përcaktonte saktë vitin, duke shkruar se ka ndodhur para vitit 2002, vit në të cilin ai ka ndryshuar dhe emrin nga Ervin në Elvis, sikundër nuk jepte dhe arsyet e ndalimit apo arrestimit të tij, duke shkruar se “nuk e mban mend”. Pas vendimit të Prokurorisë ai shpjegoi se është ndaluar nga autoritetet gjermane dhe dëbuar nga Gjermania pasi ka qenë “emigrant pa leje”, duke u shprehur se për të qenë i saktë në përcaktimet ligjore ka shkruar se nuk i mban mend detajet e cështjes. Pak ditë më parë ai publikoi një dokument të lëshuar nga autoritetet gjermane sipas të cilit rezultonte që ndaj tij nuk ka patur çështje penale. Por dhe ky dokument u pasua nga dyshime të hedhura prej opozitës, për shkak se ishte lëshuar në emër të Elvis Ervin Rroshit, që nuk përkon me gjeneralitetet e sakta të tij.

Kryetari i opozitës Lulzim Basha tha sot se Rroshi mbetet subjekt i ligjit pavarësisht dorëheqjes pasi sipas tij ai i ka fshehur të dhënat mbi të kaluarën e tij, ndërsa shtoi se “është dënuar për trafik droge dhe në Zvicër”. Sipas zotit Basha, përgjegjësii drejtpërdrejtë është kryeministri Edi Rama i cili, siç tha ai, e ka ditur mirë të kaluarën e Rroshit: “Është një ditë për të parë se ku e ka katandisur Shqipërinë Edi Rama me të inkriminuarit e tij që janë cep më cep, në çdo cep të administratës, nga jugu në veri, nga nivelet më të ulëta tek nivelet më të larta të administratës që Edi Rama e ka mbushur me persona me rekorde kriminale. Por ndryshe nga ç’thonin dhe parashikonin dajrexhinjtë e tij në studiot televizive dhe në media, ligji funksionon. Elvis Rroshi është prova e parë që ligji funksionon”.

Nga ana e tij kryeministri Edi Rama në një deklaratë për dorëheqjen e Rroshit mbrojti sërish zgjedhjen që ai kish bërë për ta kandiduar duke u shprehur se dëshmia e tij e penalitetit në shtetin shqiptar ka rezultuar e bardhë, e po ashtu, kur është rikandiduar, “janë sqaruar në rrugë operative të gjitha akuzat e bëra ndaj tij. Dhe asgjë nga çfarë kanë pretenduar akuzuesit e tij publikë deri më sot, nuk ka rezultuar e vërtetë”, shkruan zoti Rama duke shtuar se shpreh respekt për punën e jashtëzakonshme të bërë prej Rroshit për transformimin e Kavajës. Kryeministri megjithatë saktëson se ndjehet i keqardhur nga faktet e reja dhe se “gjithkush që ka një dënim gjykate me heqje lirie, nuk e ka dot mbështetjen e Partisë Socialiste për të kandiduar për çfarëdoqoftë apo qëndruar në një detyrë publike që ka. Fakti në këtë rast që Elvis Roshi nuk e ka vuajtur asnjë ditë dënimin sepse ka qenë në moshë të mitur, nuk mund të ndryshojë gjë”, nënvizon kryeministri, duke sulmuar opozitën e cila sipas tij, justifikon shkeljen haptazi të ligjit nga një deputet i saj, duke ju referuar rastit të zotit Flamur Noka. Për këtë të fundit, në media, janë publikuar dokumente se ka qenë i arrestuar në Kosovë, në vitin 1991, fakt të cilin nuk e ka përmendur në formularin e dekriminalizimit. As deputeti Noka dhe as partia e tij nuk janë shprehur zyrtarisht për faktet e bëra publike.

Ndërkohë sot 18 këshilltarë vendorë, 11 të së djathtës dhe 7 të koalicionit të, humbën mandatin. Vendimi i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për këtë u mor jo për shkaqe që lidhen me të kaluarën e tyre, por se nuk kanë dorëzuar formularët e deklarimit.

XS
SM
MD
LG