Lidhje

Dhoma Amerikane: Bie treguesi i biznesit


American Chamber of Commerce

American Chamber of Commerce

Shqipëri, sondazhi i Dhomës Amerikane të Tregtisë tregon përkeqësim të ndjeshëm në perceptimin e klimës së biznesit

Të dhënat e sondazhit të kryer nga Dhoma Amerikane e Tregtisë tregojnë se në vitin 2015 ky tregues pësoi rënie të ndjeshme. Ai ra në nivelin e 37.94 pikëve, 4.83 pikë më poshtë se ai i vitit 2014, duke zbritur edhe nën nivelin e vitit 2013 e 2012. Gati 90 përqind e treguesve të marrë në shqyrtim kanë treguar rënie.

Përkeqësim të ndjeshëm ka pësuar, sipas sondazhit, edhe perceptimi mbi klimën e biznesit. Mbi 65 përqind e sipërmarrjeve u shprehën se klima nuk është e favorshme, nga të cilët 18.7 përqind janë shprehur se nuk është aspak e favorshme. Krahasuar me vitin 2014 përkeqësimi është me 21 pikë. Në 2015, vetëm 4.5 përqind e shoqërive janë shprehur të kënaqura nga klima e biznesit, ndërsa në 2014 ishin 13,1 përqind ato që kishin këtë mendim. Për vitin 2016 megjithatë pritshmëritë janë optimiste.

Për sipërmarrjet që bëjnë pjesë në Dhomën Amerikane të Tregtisë, problemet më shqetësuese janë Niveli i Përgjithshëm i Taksave, Monopolet dhe Konkurrenca e Padrejtë dhe Burokracia qeveritare. Afro 70 përqind e ndërmarrjeve të pyetura e shohin të pafavorshëm Nivelin e Taksave, ndërkohë që në 2014 si të tillë e shikonin 55 përqind. Lidhur me vlerësimet për ekonominë, 66 përqind e anëtarëve të Dhomës Aerikane të Tregtisë, janë shprehur në 2015 ecuria ekonomike ka qenë në rënie, dhe vetëm 9.8 përqind kanë mbështetur të kundërtën.

Në përkeqësim kanë rezultuar dhe marrëdhëniet me administratën fiskale. Të paktën 23 përqind e ndërmarrjeve (1.9 në 2014) janë shprehur se marrëdhëniet me doganat nuk janë të mira, ndërkohë që 36 përqind i vlerësojnë të mira, përkundrejt 53 përqind që ndanin të njejtin opinion në vitin 2014. E njejta tendencë ështe dhe për raportet me administratën tatimore.

Një një letër që shoqëron publikimin e sondazhit, ambasadori amerikan Donald Lu shprehet se ka mbetur “i zhgënjyer kur vura re rënien e ndjeshme të Indeksit të Biznesit në 2015-n, nga 42.77 në 37.94”. Ai megjithatë shton se “raporti nuk është tërësisht një lajm i keq. Unë jam i inkurajuar që anëtarët e Dhomës Amerikane janë optimistë për vitin 2016, me pritshmëritë që Indeksi i Biznesit do të ringrihet në 40.61. Unë besoj se me miratimin me sukses dhe zbatimin e reformës së sistemit gjyqësor, me një angazhim për të pasur një regjim rregullator të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm dhe me luftën e fortë kundër informalitetit dhe korrupsionit, do të mund të shohim një rritje të Indeksit të Biznesit, edhe më të madhe sesa parashikohet në raportin e vitit të ardhshëm”, shkruan ambasadori Lu.

XS
SM
MD
LG