Lidhje

Partitë e vogla: Të ndryshojë sistemi zgjedhor


Të paktën 43 forca politike propozuan sot ndërhyrje në kodin zgjedhor: “Të jetë proporcional me korrektim kombëtar. Listat e kandidatëve të hapura. Votim e numërim elektronik”

Në Shqipëri, 43 parti të vogla parlamentare dhe jo parlamentare propozuan sot disa ndryshime në kodin Zgjedhor në kuadër të reformës së ndërmarrë nga parlamenti për zgjedhjet e ardhshme parlamentare

“Sistemi të jetë proporcional me korrektim kombëtar. Lista e kandidatëve të jetë e hapur. Ne themi se kjo do t’i rikthejë një pjesë të së drejtës, qytetarëve, atë që të zgjedhë përtej partisë edhe personazhin, lokal apo kombëtar”, shpjegoi deputeti Dashamir Shehi, kryetar i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar.

Mes propozimeve të tjera është dhe ai për një votim dhe numërim elektronik, një kërkesë e cila mbështetet me këmbëngulje nga Partia Demokratike, forca kryesore e opozitës, apo dhe ndryshime në administrimin e procesit përmes komisioneve të depolitizuara dhe përbërjes së tyre me gjyqtarë, prokurorë noterë e avokatë, apo dhe barazia mediatike dhe ajo financiare.

Propozimet vijnë pak ditë përpara takimit të pritshëm të së hënës pasdite, mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të opozitës Lulzim Basha, ku përvec Reformës në DRrejtësi pritet të diskutohet edhe për atë zgjedhore.

XS
SM
MD
LG