Lidhje

Drejtësia, Nuland i telefonon Bashës


Zyrtarja e lartë amerikane: Takimi Rama-Basha të përdoret për të rënë dakort për mitatimin e shpejtë të Reformës”

Uashingtoni rrit trysninë për miratimin e shpejtë të Reformës në Drejtësi në Shqipëri. Ndihmës-Sekretarja e Shtetit për Çështje Europiane dhe të Euroazisë Victoria Nuland i telefonoi të premten kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha “për të nxitur përparim lidhur me përpjekjen për reformën në drejtësi”. Telefonata e zyrtares së Lartë të Departamentit amerikan të Shtetit vjen në prag të takimit të së hënës pasdite mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të opozitës Basha, ku në fokus do të jetë pikërisht reforma. Sipas njoftimit të ambasadës amerikane në Tiranë “ndihmës-Sekretarja Nuland theksoi se udhëheqësit e partive politike duhet ta përdorin takimin e 6 qershorit për të rënë dakord për miratimin e shpejtë të një pakete reforme kuptimplotë dhe tërësore në drejtësi”.

Procesi, i cili është në fazën përfundimtare ka mbetur pezull pasi opozita paraqiti sërish kundërshtime ndaj tesktit të ndryshimeve kushtetuese, të rishikuar prej ekspertëve të misionit amerikan të Ndihmës Ligjore OPDAT, dhe atyre të misionit homolog europian EURALIUS. Opozita këmbëngul në votimin me dy të tretat të emërimeve të institucioneve gjyqësore nga ana e parlamentt, ndërsa ka paraqitur kundërshti edhe lidhur me strukturën e propozuar të sistemit dhe institucionet e reja që krijohen. Nga ana e shumicës janë dhënë sinjale kompromisi të mundshëm por duke saktësuar se nuk duhet të preket thelbi i Reformës.

Në telefonatën e saj me kryetarin Basha, “zonja Nuland theksoi se kjo reformë gëzon mbështetje të mirë mes popullit shqiptar dhe mbetet një prioritet i lartë në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe për përparimin e Shqipërisë drejt BE-së”. Në të vërtetë paralelisht me Uashingtonin lëvizjes ka patur edhe nga Brukseli. Të premten nën drejtimin e Përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikën e jashtme dhe të Sigurisë Federica Mogherini ka patur për këtë çështje, një takim mes disa prej komisionerëve europian, atij për Zgjerimin, të Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme.

Ndërkohë dy ditë më parë komisioneri Johannes Hahn përmes një deklarate theksoi se “një miratim i shpejtë i reformës dhe zbatimi i saj pasues është tashmë kyç. Tani është me rëndësi të bëhet dhe kilometri i fundit dhe të sigurohet shumica prej dy të tretash që nevojitet për ndryshimet përkatëse kushtetuese. Prandaj, i nxis të gjitha palët, përfshirë opozitën, që ta vendosin interesin e vendit të tyre dhe atë të qytetarëve mbi interesat e tyre individuale dhe të gjejnë kompromise për çështjet e mbetura politike, pa kompromentuar thelbin e draft reformës të pranuar ndërkombëtarisht”, nënvizoi komisioneri Hahn.

XS
SM
MD
LG