Lidhje

Dialogu SHBA-Kinë


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry thotë se Shtetet e Bashkuara po i bëjnë thirrje Kinës dhe fqinjëve të saj të Azi-Paqësorit, që të gjejnë “një zgjidhje diplomatike” për mosmarrëveshjet territoriale në Detin e Kinës Jugore.

Sekretari Kerry foli sot në Pekin, në hapje të dialogut të tetë vjetor mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

"Jemi duke u përpjekur për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore ndaj mosmarrëveshjeve lidhur me Detin e Kinës Jugore. Ne vetë nuk kemi pretendime dhe nuk kemi mbajtur qëndrim për ndonjërin prej vendeve pretenduese. Pozicioni ynë i vetëm, është “të mos e zgjidhim këtë çështje përmes veprimeve të njëanshme, por me mjete ligjore, diplomaci, negociata dhe u bëjmë thirrje të gjitha vendeve që të gjejnë një zgjidhje paqësore, mbi bazat e standarteve ndërkombëtare dhe të sundimit të ligjit,”- tha sekretari Kerry.

Komentet e zotit Kerry lidhen me shqetësimet në rritje në rajon për fuqizimin agresiv nga Pekini të instalimeve ushtarake në ishujt e papushtuar dhe në cektinat e Detit të Kinës Jugore, për shumë prej të cilave kanë pretendime Taivani, Vietnami, Filipinet, Brunei dhe Indonezia.

Përmes Detit të Kinës Jugore, realizohet një tregti vjetore me vlerën e rreth 5 trilionë dollarëve. Ky det po ashtu besohet se ka rezerva të konsiderueshme të naftës dhe të gazit natyror.

I zemëruar lidhur me fluturimet survejuese amerikane në hapërsirën ajrore të rajonit, Pekini po shqyrton krijimin e një zone identifikimi të mbrojtjes ajrore, mbi disa pjesë të Detit të Kinës Jugore, që do të kërkonte që të gjithë avionët që kalojnë nga ajo zonë, të regjistrohen nga autoritetet kineze.

Sekretari Kerry po ashtu i shfrytëzoi komentet e tij në hapjen e takimit për të theksuar fillimin e “momenteve të reja historike në bashkëpunimin” mes Pekinit dhe Uashingtonit për një numër çështjesh, si: ndryshimet klimatike, rastet urgjente të shëndetësisë në nivel botëror, dhe kontrolli i armëve bërthamore. Një tjetër çështje që theksoi zoti Kerry ishte forcimi kohët e fundit i sanksioneve ndaj Koresë së Veriut lidhur me programin e armëve bërthamore.

Në fjalën e tij, presideni kinez Xi Jinping u shpreh se është jetike që të dyja vendet t’i trajtojnë mosmarrëveshjet e tyre në mënyrë “pragmatike dhe konstruktive”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG