Lidhje

Aplikacion për të vlerësuar imamët në Holandë


Një i ri holandez me origjinë marokene shpreson se myslimanët në Holandë së shpejti do të mund të përdorin aplikacionin e tij për të dhënë vlerësim për imamët e tyre. Mohamed Mouman thotë se imamët rrallë herë kanë rastin të dëgjojnë mendimin e komunitetit. Përmes aplikacionit, ai shpreson se imamët do të kenë një ide më të qartë mbi shqetësimet e besimtarëve dhe gjithashtu të shmangin radikalizimin e të rinjve.

39-vjeçari Mohamed Mouman e quan aplikacionin "Mynbar," që do të thotë “nderim”. Aplikacioni u jep mundësi besimtarëve të vlerësojnë me notë imamin dhe predikimin e tij dhe Muhamedi beson se mund të ndryshojë mënyrën si komunikojnë myslimanët me imamët e tyre:

“Kjo është një platformë për t’i afruar imamët me pasuesit e tyre dhe për t’i ndihmuar të kuptojnë më mirë njëri-tjetrin. Në këtë mënyrë imamët mund të shohin çfarë po ndodh në komunitet”.

Aplikacioni është i lehtë për t’u përdorur: mjafton që imami të kërkojë xhaminë e tij dhe aty sheh sa pëlqime ka marrë, çfarë komentesh dhe sugjerimesh janë bërë. Kjo i jep imamit një ide për përshtypjet e besimtarëve.

Moumanit i lindi ideja kur ishte në xhami dhe donte të bënte një pyetje, por e kuptoi se nuk mund të ngrinte dorën dhe t’i kërkonte imamit shpjegime për diçka.

“Nuk e kisha të lehtë as t’i afrohesha imamit dhe ta pyesja direkt. Po mendoja çfarë rrugësh ka për ta bërë këtë. atëherë më lindi ideja e sugjerimeve me celular, që imami mund t’i lexojë më vonë”.

Mouman mendon se aplikacioni i tij mund të përdoret për t’i prerë rrugën xhihadizmit dhe radikalizimit. Ai thotë se shumë të rinj tërhiqen nga ide radikale, si ato që përhap Shteti Islamik, pasi nuk kanë lidhje të fortë me xhamitë dhe imamët e tyre.

“ISIS dhe grupe të tjera ekstremiste, radikale përdorin intensivisht dhe me profesionalizëm median sociale për të rekrutuar të rinj. Ne mund të përgjigjemi me fushatën anti-xhihad duke i tërhequr të rinjtë tek aplikacioni ynë për ta luftuar xhihadin në formë më intelektuale”.

Zëri i Amerikës kërkoi mendime nga disa imamë mbi përshtypjet e tyrepër aplikacionin, por ata nuk pranuan të komentojnë.

Teologu dhe studiuesi i islamit Hassan el Bakkali thotë se mendon që thjesht një reagim: pëlqej – nuk pëlqej, është një zgjidhje tepër e thjeshtëzuar. Por ai shton se edhe ai vetë, pasi predikimeve që bën, do të donte të dinte mendimin e besimtarëve.

“Mendoj se përshtypjet e besimtarëve janë të rëndësishme pasi të sugjerojnë nëse vazhdon të jesh në rrugën e duhur, ose nëse komuniteti kërkon prej teje të diskutosh disa tema të tjera”.

Në Holandë vërehet problemi se shumë imamë janë sjellë nga vende si Turqia apo Maroku. Ata shpesh nuk flasin holandisht, pra nuk kanë kontakte të mira me besimtarët, të cilët shpesh nuk flasin aspak ose flasin fare pak arabisht.

“Nuk mund ta përmbushësh misionin nëse nuk e di çfarë po ndodh në komunitet. Dikush që vjen nga jashtë merr një prezantim të shkurtër, por nuk është njëlloj si dikush që jeton në komunitet dhe i di nevojat e besimtarëve,” thotë teologu.

Tani Mouman po punon për ta zgjeruar aplikacionin. Ai ka hapur një llogari në crowdfunding për të mbledhur fonde që të financojë zhvillimin e mëtejshëm të aplikacionit.

XS
SM
MD
LG