Lidhje

Drejtësia, dështon takimi Rama-Basha

  • Armand Mero

Takimi Rama Basha per Drejtesine

Takimi Rama Basha per Drejtesine

Palët nuk arritën dakortësi lidhur me formulën e emërimeve të anëtarëve të institucioneve të Drejtësisë nga ana e parlamentit. Kryeministri: Pranuam dy të tretat. Basha: Kërkuam formulën e “vendeve të rezervuara” e cila garanton moskapjen

Ka dështuar sonte takimi mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha për Reformën në Drejtësi. Pas tre orësh bisedimesh mes palëve, si zoti Rama ashtu dhe zoti Basha bënë përgjegjës njëri tjetrin për dështimin e bisedimeve të sotme. Ashtu sic ishte paralajmëruar, ngërci ka qenë i lidhur me formulën e votimit të disa prej anëtarëve të institucioneve të Drejtësisë që emërohen nga parlamenti.

“Drafti që kishim në tryezën e diskutimit ishte ai i diskutuar në komisionin e Posacëm, i shoqëruar me një plan disa pikësh që u ofrua nga ekspertët e huaj për të lehtësuar afrimin mes palëve. Ne e kishim pranuar 100 përqind këtë plan ku përfshihej dhe shumica e cilësuar e dy të tretave që është kërkuar pa pushim nga PD pas leximit të parë të raportit të Komisionit të Venecias”, deklaroi kryeministri Rama, duke shtuar se “për habinë e shumëkujt, PD e refuzoi këtë ofertë që e barazon shumicën dhe opozitën në përzgjedhjen me votë të kandidatëve”.

Nga ana e tij kreu demokrat Basha shpjegoi se “ne erdhëm me modelin e Venecias atë të vendeve të rezervuara që garanton moskapjen politike. E kundërta është një kapje. Shumica nuk ka argument dhe vetëm ajo mban përgjegjësinë e abortimit të një kompromisi që con në dështimin e reformës në Drejtësi”, deklaroi zoti Basha, në daljen e tij menjëherë pas kryeministrit.

Shumica la megjithatë një derë të hapur për vazhdim të bisedimeve mes palëve. “Jemi gati të dëgjojmë cdo ide e propozim që nuk e cënon thelbësisht përmbajtjen e draftit dhe që nuk përbën një përpjekje për të mbajtur duart brenda sistemit të Drejtësisë. Të hapur për cdo përmirësim”, deklaroi zoti Rama duke njoftuar se “ne nuk do ta presim më PD. Do të vazhdojmë në rrugën e vetme që kemi. Pas këtij takimi reforma do të niset drejt e për në sallën e parlamentit”, njoftoi zoti Rama, duke saktësuar se "deri ditën e votës në parlament ka plot orë dhe jo pak ditë që demokratët të mos e humbasin këtë tren të historisë dhe krejt fytyrën e tyre". Por kryetari demokrat paralajmëroi se “çdo akt unilateral i një pakete të parakorduar me opozitën është një dështim i sigurt. Çdo dështim është shtyrje e reformës në drejtësi”, tha zoti Basha sipas të cilit “ky është në të vërtetë qëllimi i shumicës”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG