Lidhje

Përgjimi, pezullohet Drejtori i Policisë Haki Çako


Pajisja e policisë italiane, në arrest shtëpie drejtori i forcave opracionale dhe një vartës i tij. Prokuroria”dyshime për aktivitet të kundërligjshëm përgjimi”. Basha: Hetimi të përfshijë ministrin Tahiri. Rama: Prokuroria, makinacion të rëndomtë politik

Gjykata e Tiranës vendosi sot , pas kërkesës së prokurorisë, që të pezullojë nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Haki Çako, dhe të japë masën e “arrestit në shtëpi” për Drejtorin e Forcave Operacionale Artion Duka dhe specialistin e kësaj drejtorie Entiol Xhelilaj. Vendimi erdhi si pjesë e hetimeve që Prokuroria ka nisur lidhur me një pajisje të ardhur në Shqipëri në muajin mars, nga misioni italian dhe zyra e saj e Ndërlidhjes në Tiranë, në kuadër të trajnimeve të policisë shqiptare.

Përgjimi, pezullohet Drejtori i Policisë
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:23 0:00

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Haki Çako, ishte në një aktivitet publik kur mësoi për vendimin e gjykatës e cila e pezullonte atë nga detyra. Ai dyshohet për “Shpërdorim detyre”, pasi sipas prokurorisë nuk ka marrë masat që i takojnë me ligj për të siguruar hyrjen, administrimin dhe përdorimin e një pajisje specifike, “IMSI Catcher”, e cila është sjellë në Shqipëri nga autoritetet italiane, për qëllime trajnimi. Kjo pajisje – nënvizon Prokuroria - ka hyrë në territorin shqiptar pa iu nënshtruar regjimit doganor të përkohshëm dhe, për më tepër, pa marrë autorizimin përkatës nga Prokurori i Përgjithshëm, si autoriteti i vetëm që jep lejen për përdorimin e mjeteve të tilla”.

Më e komplikuar duket situata për dy zyrtarët e tjerë të policies, drejtorin e Forcave Operacionale Artion Duka dhe specialistin e kësaj drejtorie Entiol Xhelilaj. Përveç “Shpërdorimit të detyrës” ata akuzohen dhe për “Veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Xhelilaj veçanërisht, dyshohet që të ketë lëvizur me automjetin ku ishte instaluar pajisja, pak pasi prokurorët kanë shkuar për sekuestrimin e saj, si dhe të ketë lëvizur të paktën dhe një herë tjetër me mjetin jashtë ambienteve ku kryhej trajnimi. Ish drejtori i Policisë italiane Alessandro Pansa pati deklaruar në letrën dërguar kryeprokurorit Llalla pak javë më parë, se pajisja ka qenë gjithnjë nën administrimin e specialistëve italianë dhe se kur nuk përdorej për trajnim qëndronte në zyrat e misionit italian, pranë ambasadës së Italisë në Tiranë. Por nga hetimet rezulton se në pjesën dërrmuese të kohës, pajisja të jetë mbajtur në zyrat e Drejtorisë së Përgjithshme të policisë shqiptare.

Sipas policisë italiane pajisja e sjellë për trajnim nuk mund të realizonte përgjime të bisedave telefonike dhe as të mesazheve. Por ajo mësohet se identifikon kodin Imei e përmes tij dhe përdoruesin. Prokuroria dyshon “ aparatë celularë të ndryshëm mund të kenë qenë nën administrimin e paligjshëm të pajisjes “IMSI Catcher”. Prokuroria shpjegon se po vijon “hetimet për të provuar nëse, pas veprimeve të dyshuara si të kundërligjshme, ka edhe zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë”.

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ashtu si dhe më parë deklaroi se nuk është bërë asnjë përgjim dhe i doli në mbrojtje zyrtarëve të vënë nën akuzë nga Prokuroria: “Unë jam shumë i vetëdijshëm që Drejtori i Policisë dhe dy punonjësit nuk kanë shkelur ligjin në asnjë sekondë të ushtrimit të punës së tyre. Nuk kanë bërë asnjë përgjim. E s’kanë bërë asgjë qoftë dhe largësisht e afër me përgjimin. Publikisht i jap mbështetjen time personale, institucionale, mbështetjen e Kryeministrit dhe të Qeverisë. Për Drejtorin e Policisë dhe dy punonjësit e policisë e për çdo punonjës policie në çdo cep të Shqipërisë që kryen detyrën me përkushtim, me devotshmëri, me ndershmëri"

Por për opozitën bëhet fjalë për një skandal. Kryetari demokrat Lulzim Basha ndërsa vlerësoi veprimet e prokurorisë i konsideroi ato si të pamjaftueshme: “Kryeprokurori i vendit, prokurorët e çështjes, duhet ta dinë qartë qëndrimin tonë. Ne nuk pranojmë dhe nuk do të pranojmë koka turku në këtë proces kaq të rëndësishëm për interesin esencial të vendit, sigurinë kombëtare. Ne nuk do të pranojmë që njeriu në krye të këtij operacioni të pistë të vazhdojë të mbetet në detyrë. Ndaj inkurajojmë me forcë hetimin e shtrirë dhe të plotë të të gjithë personave përgjegjës që kulmojnë në zinxhirin urdhërdhënës me Saimir Tahirin”.

Zoti Basha kërkoi “me forcë largimin e menjëhershëm të Saimir Tahirit nga detyra, si parakusht për largimin e çdo pengese që i është vënë përpara prokurorisë në hetimin dhe zbardhjen e plotë të këtij krimi”.

Por kryeministri Edi Rama, në një postim në facebook, duke i kërkuar ndjesë qeverisë italiane për implikimin e saj indirekt në këtë histori, foli për përfshirjen e Prokurorisë në “një makinacion të rëndomtë politik”.

XS
SM
MD
LG