Lidhje

Euro 2016 – dhuna në Marsejë


Soccer fans clash in Stade Velodrome, in Marseille, after a match, June 11, 2016.

Soccer fans clash in Stade Velodrome, in Marseille, after a match, June 11, 2016.

Organizata e futbollit evropian UEFA, kërcënoi të dielën se do të përjashtojë si Rusinë ashtu edhe Anglinë nga Euro 2016 në Francë nëse tifozët e tyre vazhdojnë sjelljet e dhunëshme. Kryeprokurori i Marsejës tha se disa nga përgjegjësit për dhunën e shkaktuar në qytet ishin huliganë rusë të stërvitur për dhunë të tepruar.

Kryeprokurori Brice Robin tha sot se rusë të stërvitur për të luftuar ishin të përfshirë në dhunën më të rëndë mes tifozëve në Marsejë gjatë hapjes së turnamentit të futbollit Euro 2016. Kryeprokurori tha se disa tifozë rusë ishin kthyer mbrapsht me të mbërritur në aeroportin ndërkombëtar të Marsejës, por të tjerë kishin mbërritur me rrugë tokësore.

“Pati rreth 150 përkrahës të kombësisë ruse që në realitet janë huliganë, të cilët janë mësuar me sjellje të tilla dhe janë të stërvitur. Disa prej tyre mbërritën në aeroportin Marinjan dhe nuk u lejuan të hyjnë. Fatkeqësisht të tjerë kanë mbërritur ndoshta me lloje të tjera transporti dhe ishin të përgatitur për veprime të dhunshme”, tha zoti Robin.

Më shumë se 35 persona u plagosën në Marsejë të shtunën në mbrëmje pasi tifozët britanikë dhe rusë u përleshën jashtë dhe brenda stadiumit Velodrom. Pas ndeshjes që përfundoi në barazim 1-1, mbështetësit e Rusisë akuzuan palën angleze dhe kjo bëri që tifozët të largohen e të kalonin mbi gardhe në përpjekje të dëshpëruar për t’u larguar.

"Ngjarjet në Marsejë ishin të papranueshme. Të papranueshme për autoritetet, të papranueshme për shoqërinë dhe për admiruesit e futbollit. Kemi qënë dëshmitarë të dhunës mes përkrahësve të provokuar nga tifozë të dehur", tha ministri i brendshëm francez Bernard Cazeneuve.

Ky nuk ishte incidenti i vetëm në turnamentin që zgjat një muaj. Dhuna mes tifozëve irlandezë dhe banorëve vendas plagosi shtatë persona në Nisë.

Ministri i brendshëm francez Bernard Cazeneuve tha se u kishte kërkuar zyrtarëve vendas të vinin kufizime për shitjen dhe transportin e alkoolit në ditët e ndeshjeve, si dhe pranë zonave të tifozëve. UEFA organizoi zona ku tifozët nga të gjitha vendet inkurajohen të shohin ndeshje pranë njëri-tjetrit.

UEFA dënoi dhunën, duke thënë se “njerëzit e përfshirë në akte të tilla nuk kanë vend në futboll”. Ajo pritet të rekomandojë dënimin të martën.

Siguria është forcuar në 10 stadiume ku do të luhen ndeshje, dhe qeveria britanike ka ofruar të dërgojë më shumë policë në Francë para ndeshjes së radhës mes Anglisë dhe Uellsit të enjten në Lans.

XS
SM
MD
LG