Lidhje

Drejtësia, Rama: Çfarë nuk tolerojmë

  • Armand Mero

Kryeministri: Nuk heqim dorë nga 2/3 për përzgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të kualifikimit dhe të Kolegjit të Apelimit. Për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe atë të Prokurorisë gati të gjejmë zgjidhje. Nesër teksti i ndryshimeve në Komisionin e Posaçëm parlamentar

Në Shqipëri kryeministri Edi Rama përsëriti sot se po bëhen përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje për të kapërcyer ngërcin lidhur me emërimet e anëtarëve të disa institucioneve të drejtësisë nga parlamenti, për të gjetur një formulë të pranueshme nga opozita e cila këmbëngul për variantin e vendeve të rezervuara. Zoti Rama megjithatë saktësoi se ai nuk pranon që kjo formulë të përdoret për përzgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të kualifikimit dhe atë të Kolegjit të Apelimit që duhet të bëjnë verifikimin etiko-profesional të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Komisioni i posacëm i Reformës do të mblidhet nesër për të votuar projektin në të cilin shumica ka hequr dorë dhe nga ngritja e dy institucioneve të reja.

Paraditja e sotme për kryeministrin Edi Rama duket se ka qenë dedikuar plotësisht Reformës në Drejtësi. Ai pati fillimisht një takim me kryetarin e parlamentit Ilir Meta i cili dje bisedoi për këtë çështje me drejtuesin e opozitës Lulzim Basha. Më pas në zyrën e tij mbërriti ambasadori amerikan Donald Lu, dhe ambasadorja e delegacionit të Bashkimit europian Romana Vlahutin.

Më herët kryetari i Komisionit të posaçëm të Reformës Fatmir Xhafaj kishte shpërndarë projektin e ndryshimeve kushtetuese dhe ka thirrur për nesër mbledhjen e këtij komisioni për miratimin nen për nen të projektit. Sipas tekstit, shumica ka lëshuar pe, sa i përket institucioneve të reja që parashikohen të ngrihen, duke ju afruar pozicionit të opozitës e cila ka kërkuar thjeshtimin e arkitekturës së sistemit. E majta ka pranuar të heqë dorë nga dy prej institucioneve të reja, Tribunalit disiplinor dhe ngritjes së Gjykatës së Lartë administrative.

Por pika kyçe mbetet ajo e mënyrës së votimit nga paramenti të emërimeve në disa prej institucioneve të drejtësisë. Shumica ka mbështetur variantin e dy të tretave, ndërsa opozita këmbëngul te formula e vendeve të rezervuara, ose e thënë ndryshe një ndarje politike të posteve mes shumicës dhe opozitës.
Kryeministri Edi Rama përsëriti se mbetet i hapur për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët me opozitën: “Kemi punuar dhe po punojmë dhe tani që po flasim, me shumë përkushtim, për një zgjidhje të përshtasë përmbajtjen thelbësore të Reformës dhe nevojë për përfshirje substanciale të opozitës në procesin e zbatimit të Reformës, sikundër shprehet dhe Komisioni i Venecias. Unë jam i bindur që kjo zgjidhje mund të gjendet dhe mund të jetë plotësisht e pranueshme për opozitën, nëse PD do vërtetë zgjidhje për këtë pikë dhe nëse kjo pikë është e vetmja gjë që e ndan PD-n nga kartoni jeshil për Reformën”.

Megjithatë zoti Rama saktësoi se ka një vijë përtej së cilës shumica nuk pranon të shkojë, dhe që lidhet me përzgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të posaçëm të kualifikimit dhe të Kolegjit të Apelimit, lista e të cilëve duhet t’i propozohet parlamentit nga Avokati i Popullit nën monitorimin e një grupi ndërkombëtar. Këto dy institucione janë të ngarkuara për të bërë verfikimin etiko-profesional të çdo prokurori apo gjyqtari, duke kaluar në sitë, aktivitetin e tyre ndër vite si dhe pasuritë e tyre.

“Këto dy institucione janë matanë vijës së kuqe. SHumica e cilësuar në këtë rast është vija e kuqe të cilën ne nuk do ta kapërcejmë dhe nuk ka asnjë lloj mundësie për të bërë asnjë lloj kompromisi me PD-në. Unë nuk do ta votoj kurrë Rëformën në Drejtësi nëse preket kjo pikë. O do të bëjmë Reformën, ose kurrë mos u bëftë. Për dy institucionet e tjera, Këshillin e Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillin e Prokurorisë janë të gjitha mundësitë të gjendet një zgjidhje e arsyeshme kompromisi. Ne jemi gati të lëvizim dhe nga dy të tretat, PD të lëvizw nga vendet e rezervuara dhe zgjidhje ka” deklaroi zoti Rama.

Me kalimin nesër të projektit të ndryshimeve kushtetuese në Komisionin e Reformës, teksti hyn në procedurat paramentare për të shkuar drejt votimit në sallë. Mbetet për t’u parë nëse do të kërkohet që ai të hyjë ose jo me procedura të përshpejtuara, duke qenë se si kryeministri Rama ashtu dhe kryetari i parlamentit Meta, i kanë mëshuar faktorit kohë. Miratimi brenda qershorit, do t’i krijonte mundësi parlamentit që në korrik të mund të miratonte dhe disa nga ligjet kryesore për vënien në jetë të reformës, duke krijuar kështu një shans për një rekomandim pozitiv në vjeshtë nga ana e Komisionit europian për hapjen e bisedimeve për anëtarësim, sic e kanë premtuar përfaqësuesit më të lartë të tij.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG