Lidhje

Arrestimi i drejtorit të Tatimeve, Shkodër


Gjykata e Shkodrës e cilësoi sot të paligjshëm arrestimin e drejtorit rajonal të Tatimeve në Shkodër, Hysen Hysaj, ndaj të cilit, katër ditë më parë, Prokuroria kishte urdhëruar arrestimin për shkak të dyshimeve se kishte konsumuar veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Gjykata e Shkodrës e la të lirë drejtorin Hysaj duke vendosur ndaj tij masën “detyrim paraqitje”.

Deri pak javë më parë, Hysen Hysaj mbante funksionin e kryetarit të Partisë Socialiste në Malësi të Madhe.

Arrestimi i drejtorit rajonal të Tatimeve në Shkodër u bë në datën 13 qershor për shkak të dyshimeve se kishte kredituar në mënyrë të kundraligjshme, në vlerën e 10 milionë lekëve të reja si TVSH, një subjekt tregtar me administrator djalin e motrës së tij.

Sipas të dhënave të organit të akuzës, kompania e kishte humbur të drejtën e rimbursimit të TVSH-së për shkak se, sipas legjislacionit shqiptar, nuk kishte shlyer detyrimin doganor për disa blerje të vitit 2012.

Nga verifikimet rezultoi se administrata tatimore nuk e kishte shpallur debitor ketë subjekt tregtar si dhe nuk kishte ushtruar kontroll mbi aktivitetin e tij.

Këto të dhëna i kanë mjaftuar Prokurorisë që të krijojë dyshimin se drejtori rajonal i Tatimeve kishte shpërdoruar detyrën duke favorizuar subjektin tregtar përmes rimbursimit, në mënyrë të kundraligjshme, të 10 milionë lekëve të reja.

XS
SM
MD
LG