Lidhje

Hetime për vrasjen e deputetes britanike


People leave tributes for Labour Member of Parliament Jo Cox in Parliament Square, London, Britain, June 17, 2016.
People leave tributes for Labour Member of Parliament Jo Cox in Parliament Square, London, Britain, June 17, 2016.

Hetuesit e policisë në Jorkshër të Anglisë veriore nuk konfirmojnë apo mohojnë se i dyshuari për vrasjen e deputetes 41-vjeçare mund të ketë qenë i frymëzuar nga pikëpamjet e ekstremit të djathtë. Disa dëshmitarë thanë se 52-vjeçari, Thomas Mair, thirri “Britania e Para!”, ndërsa e qëlloi me armë tre herë deputeten, dhe më tej e goditi me thikë dhe e tërhoqi zvarrë. Partia politike “Britania e Para!” e dënoi sulmin dhe tha se nuk ka rol në vrasjen e deputetes pro-Bashkimit Evropian.

“Nuk kemi asnjë lidhje me këtë ndodhi; unë isha në zyrë kur u përhap lajmi dhe sigurisht që e dënoj. Jemi në mesin e fushatës për referendumin. Çfarë tha ky person? A iu referua ndonjë organizate apo sllogani? Apo thjesht e tha nga çfarë i ka mbetur në mendje nga debati për BE-në?”

Ndërsa policia mundohet të gjejë motivin, dedektivët duket se po përqëndrohen në dy skenarë kryesorë. Një burim i policisë në Jorkshër i konfirmoi Zërit të Amerikës se hetuesit po shqyrtojnë lidhjet e Thomas Mair me grupime të djathta, si dhe historikun e shëndetit të tij mendor.

Dedektivët kontrolluan shtëpinë e tij për prova materiale për lidhje me ekstremistët. Qendra amerikane “Southern Poverty Law”, e cila monitoron grupet ekstremiste, thotë se Thomas Mair ishte një mbështetës vjetër i grupimit amerikan neo-nazist të quajtur Aleanca Kombëtare.

Sipas kësaj qendre, Thomas Mair kishte blerë botime me vlerë 620 dollarë nga shtëpia botuese e këtij grupimi, ndër to edhe udhëzues për montim armësh dhe bombash.

Ai gjithashtu ishte abonuar prej 10 vitesh në një revistë të Afrikës së Jugut, të botuar nga një grup esktremist që mbron regjimin racist të aparteidit.

Vrasja e zonjës Cox ka errësuar fushatën e referendumit britanik. Kjo është vrasja e parë e një deputeteje britanike që në vitin 1990, kur Ushtria Republikane Irlandeze vrau një zyrtar të lartë të partisë konservatore.

XS
SM
MD
LG