Lidhje

Obama ngushëllon familjet e viktimave në Orlando


Obama Nightclub Shooting
Obama Nightclub Shooting

Të enjten, presidenti amerikan Barack Obama u takua privatisht me familjet e viktimave të sulmit të së dielës në Orlando ku u vranë 49 njerëz dhe u plagosën 53 të tjerë. Presidenti ngushëlloi familjet dhe të mbijetuarit, dhe përsëriti thirrjet për veprim për të parandaluar rënien e armëve në duar të gabuara.

Pas arritjes të enjten në Orlando, Presidenti Obama mori rolin e "ngushëlluesit", siç ka bërë shumë herë të tjera gjatë dy mandateve të tij, pas incidenteteve me armë në Sandy Hook, në Universitetin Virginia Tech, në Çarlston, San Bernardino, dhe tani në Orlando, një nga ngjarjet më të rënda të vrasjeve masive në historinë e Amerikës.

Pas takimit me familjet e prekura, Presidenti Obama tha se sulmi në klubin Pulse nuk ishte vetëm një akt terrorizmi, por edhe një akt i urrejtjes ndaj komunitetit LGBT.

"Nuk mund ta ndajmë botën në dy grupe, "ne" dhe "ata", dhe të denigrojmë e të shprehim urrejtje ndaj grupeve për shkak të ngjyrës së lëkurës së tyre, besimit të tyre, apo orientimit të tyre seksual. Kjo do të nxiste diçka shumë të rrezikshme në këtë botë. Pra, tani është koha që të të reflektojmë dhe riafirmojmë besimin tonë bazë se të gjithë janë të rëndësishëm dhe të gjithë kanë dinjitet."

Presidenti Obama, i cili vazhdimisht i ka bërë thirrje Kongresit të miratojë masën për kontrolle universale të biografisë dhe ligje të rrepta të kontrollit të armëve në Shtetet e Bashkuara, dje nuk u tërhoq nga bindjet e tij politike. Ai tha se familjet që kishte takuar, kanë kërkuar veprime më të mëdha për parandalimin e masakrave.

"Ne nuk mund të fshijmë urrejtjen dhe të keqen nga çdo zemër në këtë botë. Por ne mund të parandalojmë disa tragjedi. Ne mund të shpëtojmë disa jetë. Ne mund të zvogëlojmë ndikimin e një sulmi terrorist në qoftë se tregohemi të mençur."

Në qendër të qytetit të Orlandos, Presidenti Obama, bashkë me nënpresidentin Joe Biden, bëri një ndalesë të fundit, në një vend përkujtimor për viktimat, ku ai vuri lule.

Banorët vlerësuan presidentin për vizitën e tij në këtë kohë të vështirë për qytetin.

"Mund të mos jem dakord me politikat e tij, por si një qenie njerëzore, kam respekt të madh për të. Nga ajo që kam parë, kjo çështje është afër zemrës së tij dhe unë e vlerësojë këtë."

"Më erdhi vërtet mirë që e pashë atë. Mendoj se ne duam ta shohim presidentin tonë të marrë masa. Është gjë shumë e mirë që ai erdhi këtu për të shprehur mbështetje."

Gjatë gjithë ditës, qindra banorë të qytetit dhe vizitorë nga mbarë Shtetet e Bashkuara vizituan këtë vend përkujtimor për të nderuar viktimat. Ata thanë se kanë qenë tepër të pikëlluar gjatë gjithë javës.

XS
SM
MD
LG